Nga Kastriot Dervishi
Si pasojë e pushtimit serb dhe keqtrajtimeve të shumta, një qëndrese thuajse epike, në vitet 1913-1920 nga krahina e Dibrës erdhën në Tiranë një numër i madh shqiptarësh, duke krijuar kështu një eksod masiv në përmasat e një dëmi të sjellë nga një spastrim etnik.
Sipas të dhënave të fundit të vitit 1920, kishim këtë numër popullsie të vendosur në:
-Tiranë, 4998,
-Shijak, 417
-Durrës, 390
-Kavajë, 372
-Peqin, 46
-Çermenikë, 46
-Elbasan, 30
Këshilli i Ministrave, me vendimin nr.609, datë 10.9.1920, vendosi dhënien e 20 mijë liretave italiane për Nënprefekturën e Tiranës, për t’u përdorur për muhaxhirët dibranë.
Në një telegram të datës 27.10.1920 llogaritej për ushqimin e emigrantëve të vendosur në Shijak nevojiteshin 8090 lireta italiane.
Emigrantët kishin krijuar një komision në Tiranë. Nevojat e tyre për ushqim veshmbathje ishin të mëdha. E sikur të mos mjaftonin këta, në Shqipëri erdhën edhe vëllezër të tjerë nga Hoti e Gruda, Plava e Gucia, si dhe vazhdimisht nga Kosova. Kushdo shtet do ta kishte të pamundur ta menaxhonte këtë situatë e jo një shtet i dobët dhe i sapoformuar si Shqipëria. Mirëpo pakësimi i popullsisë shqiptare në territoret e veta ishte shqetësim i madh.
Me shkresën nr.6960, datë 17.10.1920, ministri i Punëve të Brendshme, Ahmet Zogu, urdhëron prefekturat: “Jeni të porositur me ndalue rreptësishtë muhaxhirët e Dibrës për mos kalue jashtë Shqipërisë, e sidomos për në Stamboll. Mos të jepet pra pasaporta për nji udhëtim të këtillë për muhaxhirët e sipërthënë.
Ky urdhër vinte për të paraprirë rrezikun e largimit përfundimtar të kësaj popullsie nga atdheu.
Në mars 1921, Këshilli i Ministrave vendosi që dibranët të strehoheshin në livadhet e Esat Toptanit, jashtë qytetit të Tiranës, në çadrat e dhëna nga amerikanët.