Në prag të ekzekutimit të inxhinierëve e teknikëve në Maliq, më 20.11.1946 nisi një proces tjetër që u zhvillua në dy shkallë gjykimi, por që nuk u fotografua apo filmua. Edhe këta u akuzuan si “sabotatorë” në shërbim të amerikanëve. Në shënimet e hetuesisë thuhej se procesi quhej i plotësuar, por Aleks Vasili nuk pranonte asnjë akuzë. Procesi u drejtua nga Gjykata Ushtarake Tiranë e përbërë nga kapiten Njazi Meka (kryetar), kapiten Menella Bulka dhe nëntoger Vasil Karajani, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten Halit Tafani. Përveç dy të dënuarve me vdekje, u dënuan edhe Hans Vala dhe Golfredo Rizzo. Personat kryesorë ishin:
-Mirush Bedri Përmeti, lindur në Manastir dhe banues në Tiranë, gjeometër, me arsim dy vjet universitetin e Padovas në Itali, ishte me profesion gjeometër. Në vitin 1934 pat mbaruar Shkollës Teknike të Tiranës. Gjatë luftës kishte qenë teknik i klasit të parë në Ministrinë e Punëve Botore me drejtor Hans Valën. Gjatë luftës përkrahu Legalitetin, por mbajti në shtëpi edhe ilegalë si Nexhmi Ballka. Pas lufte ishte arrestuar e kishte qëndruar në burg si zogist për 4 muaj. Punoi në Pogradec për planin e qytetit, në Lushnjë për reformën agrare e më pas në punimet për tharjen e kënetës së Maliqit deri në arrestimin e tij. Në gjyq tha: “Aktakuzën e kam marrë, por nuk e ndjej veten fajtor”. Arrestuar më 29.10.1946.
-Aleks Vasili (1911-1946), lindur në Alarup e banues në Korçë, inxhinier i diplomuar në Rumani në vitin 1921. Prej kësaj kohe ishte marrë me punime në Zyrën e Punëve Botore. Në deklarimin e tij ai thotë se është arrestuar më 25.9.1946.
Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin 624, datë 25.11.1946 i deklaroi fajtorë dhe dënoi me vdekje Mirushin dhe Aleksin. U la në fuqi me vendimin nr.178, datë 3.12.1946 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. Të njëjtën ditë që u dha vendimi, Enver Hoxha me cilësinë e komandantit suprem të ushtrisë miratoi dënimet me vdekje. Më 10.12.1946 Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi faljen e jetës së Mirush Përmetit, pas kërkesës që kishte bërë babai i tij Bedri Përmeti.
Ekzekutimet me vdekje u kryen në Tiranë.