Në vendimin nr.505, datë 2.7.1994 të Gjykatës së Rrethit Tiranë, kundër një grupi të pandehurish, për Zylyftar Ramizin është edhe pjesa e mëposhtme, që lidhej me ngjarjen e revoltës së Qafë Barit, në të cilën humbi jetën nga torturat edhe i dënuari Sandër Sokoli:
“Më 22.5.1984, në kampin e riedukimit nr.311 Qafë Bari, ka shpërthyer revolta e të dënuarve, pasi një nga të dënuarit nuk kishte realizuar normën dhe për këtë komanda kërkonte që ai të dilte të punonte edhe në turnin pasardhës. Për këtë revoltë, Komanda e Repartit 311 ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe mbi këtë bazë, i urdhëruar nga i pandehuri Hekuran Isai për të verifikuar gjendjen, është nisur për në Qafë Bari me helikopter, i pandehuri Zylyftar Ramizi së bashku me tre policë shoqërues. Gjithashtu ai ka urdhëruar të nisen për në Qafë Bari, forcat e Repartit nr.326 të ushtrojnë dhunë mbi të dënuarit. Si pasojë e kësaj dhune, veç të tjerëve ka pësuar dëmtime të rënda dhe i dënuarit Sandër Sokoli (në origjinal shkruhet gabimisht emri “Sadri”-shënim) në pjesën e kokës, gjoksit si dhe me thyerjen e disa brinjëve. Ky i dënuar së bashku me të dënuarit...(jepen emrat e disave-shënim), me urdhër të të pandehurit Zylyftar Ramizi, janë transportuar me një automjet 7 vendesh për në Degën e Punëve të Brendshme Pukë.
Gjatë udhëtimit, i dënuarit Sandër Sokoli ka vdekur. Atë natë është njoftuar dhe mjeku ligjor, dëshmitari Pandush Gliozheni, i cili i imponuar dhe nën presionin e të pandehurit Zylyftar Ramizi ka lëshuar aktin e ekspertimit mjeko-ligjor nr.12, datë 25.5.1984 ku si konkluzion për shkaktimin e vdekjes ka vënë atë të ndalimit të zemrës, gjë e cila kërkohej nga i pandehuri Zylyftar. Në të vërtetë siç shpjegoi edhe dëshmitari Pandush Gliozheni, viktima në pjesën frontale të majtë të fytyrës kishte ekimoza dhe hematoma të shumta, gjatë hapjes së pjesës torokale, në anën e majtë të kafazit të kraharorit ka konstatuar thyerjen e 2-3 brinjëve”.