Italia do të drejtohet në të ardhmen nga populistët e djathtë dhe të majtë. Me këtë ajo mund të ndodhet në vështirësi jo vetëm në politikën financiare dhe mund t'i sjellë kohë të paqeta Evropës, mendon Barbara Wesel.
Do të ishte çudi po të mos rezultojë kryeministri i ri një marionetë në duart e dy kryetarëve të partive Lega dhe Lëvizjes Pesë-Yjet. Sepse profesori i panjohur i lëndëve juridike nuk ka rrënjë as te Lega, as te Pesë-Yjet, pushtetin ai e ka vetëm të marrë hua. Giuseppe Conte është destinuar që të jetë një figurë e dobët - një kryeministër, të cilit i duhet të telefonojë më parë në dy qendra të partive, përpara se t'u premtojë gjë kolegëve Merkel dhe Macron.
Kjo qeveri përbëhet nga fillestarë - me përjashtim të ministrit të ri të Jashtëm. Kjo i jep asaj në sytë e zgjedhësve edhe më shumë besueshmëri, sepse bën pjesë në standardet e populistëve, që të shajnë e mallkojnë të ashtuquajturat establishmente.
Programi i kësaj martese midis dy partive krejt të papajtueshme ideologjikisht me njëra-tjetrën, konsiston para së gjithash në dhurata të papagueshme për zgjedhësit. Dhe ata janë kaq të etur për ndryshime, për njerëz të rinj në politikë, sa kanë harruar se si bëhet llogari. Sepse taksa e sheshtë, me të cilën do t'i lumturojë mbështetësit e tij udhëheqësi i Lega-s Matteo Salvini do t'i kushtojë shtetit miliarda dhe do të sjellë fitime vetëm për të ardhura që prej 30.000 euro. Por njerëzit me të ardhura të pakta, ata të cilët votuan në radhë të parë për populistët, do të jenë në një pozitë më të keqe se më parë.
Një ëndërr e keqe për Evropën
Ndërsa e ardhura bazë, të cilën ia ka premtuar Lëvizja Pesë Yje jugut të varfër, në fakt zëvendëson sigurimin social, që mungon prej dekadash në Itali. Për fat të keq shteti për këtë nuk i ka aktualisht paratë dhe vrimat gjigande, të cilat do t'i japin në buxhet të dyja projektet, nuk mbushen duke marrë vetëm ca borxhe.
Në përgjithësi ideja bazë ekonomike e kësaj qeverie është shumë e diskutueshme: që Italia do të dalë nga borxhet, duke shpenzuar më shumë para. Janë një grusht ekspertësh që përfaqësojnë pikërisht këtë doktrinë. Por meqenëse Donald Trumpi po e çon aktualisht në humnerë koniunkturën globale, nuk mund të parashikosh se si do t'i shpëtojë Italia kësaj vorbulle thithëse negative.
Në Bashkimin Evropian ende pa u kapërcyer mirë kriza e Greqisë, po afrohet kriza tjetër, më serioze për eurozonën. Ekonomikisht Italia është dhjetë herë më e madhe se fqinji i vogël në jug. Nëse Roma do të ecte drejt një falimentimi shtetëror, kolapsi në tregun financiar mund të merrte me vetë për poshtë të gjithë monedhën e përbashkët.
Ende nuk dihet se sa nga premtimet e pafinancueshme do të zbatojnë të rinjtë në Itali. Por gjithsesi Brukseli ka para vetes kohë të paqeta, sepse qeveria Conte do të kërkojë leje për të hyrë në borxhe pa u shqetësuar. Por këtë leje BE nuk mund t'ia japë, përplasja është e programuar.
Si duhet të qëndrojë në këmbë ky koalicion?
Edhe përtej kësaj, nuk do të ketë gjë tjetër veçse grindjes me këta italianë. Shprehjet e shefit të Legas, Salvini për ndarjen racore në tramvaje tregojnë mendësinë e tij ekstremiste të djathtë, raciste. Nëse si ministër i Brendshëm ai do t'i çojë emigrantët në kampe, në Itali do të shpërthejë një luftë e ashpër për të drejtat e njeriut.
Edhe një gjë: populistët në Romë u mbushin mendjen njerëzve se fajin për krizën e Italisë e ka Gjermania. Ky është një budallallëk dashakeq. Mesatarja statistikore e mirëqënies për frymë në Itali është më e lartë se në Gjermani. Por fqinjët kanë një problem të madh të shpërndarjes. Shikoni veten tuaj, të dashur italianë, dhe mos ua hidhni të tjerëve kaosin, korrupsionin, punët shkel e shko, zhvatjet dhe të tjerat që e paralizojnë këtë vend të bukur. Dhe pavarësisht nga kjo ajo që ka rëndësi: Avanti dilettanti!/DW