Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte e mallkoi një ekspert të të drejtave të njeriut të OKB-së që tha se pavarësia e gjyqësorit në Filipine ishte e kërcënuar duke i thënë “vafsh në ferr” dhe paralajmëruar të mos ndërhynte në punët e brendshme.
Gjykata e Lartë e Filipineve votoi muajin e kaluar për të shkarkuar Shefen e Drejtësisë, Maria Lourdes Sereno, të cilën Duterte e quante “armike”, sepse ajo kishte votuar kundër propozimeve të qeverisë; shkarkimi u bë duke iu referuar shkeljeve të bëra në mënyrën si ishte emëruar.
"Shkarkimi i saj i jep një mesazh trishtues, gjykatësve të tjerë dhe anëtarëve të gjyqësorit", u shpreh Diego Garcia Sayan, raportuesi special i OKB për pavarësinë e gjyqtarëve dhe avokatëve.
“I thoni atij të mos ndërhyjë në çështjen e brendshme të vendit. Të shkojë në ferr”, tha presidenti Duterte, në një konferencë shtypi të shtunën në darkë, para se të niste një vizitë zyrtare në Korenë e Jugut.
Lideri filipinas është i njohur për sfidën që i ka bërë presionit ndërkombëtar dhe sulmet e tij kundër kritikëve.
Në veçanti ai i është vërsulur ish-presidentit amerikan Barack Obama dhe raportuesit special të OKB-së, që e akuzuan për vrasjet pa gjyq në luftën e përgjakshme kundër drogës në Filipine dhe projektin e tij për të garantuar sigurinë publike.