Vështrim pas në histori: Lëvizja studentore jugosllave ka qenë ndoshta mundësia e vetme për një zhvillim paqësor në Jugosllavi. Por ajo dështoi në mënyrë katastrofike, është i mendimit Dragoslav Dedović
Ndoshta studentët në qershor 1968 në Beograd nuk e dinin aq mirë në fillim se çfarë dëshironin. Por ata e dinin shumë mirë se kundër kujt ishin. Ata protestonin kundër rritjes së pabarazisë, kundër ndalimeve të shprehjes së mendimit dhe dhunës brutale të policisë. Në ditët e qershorit edhe kërkesat e tyre e qartësuan: Më shumë pjesëmarrje. Një shoqëri më të drejtë. Më shumë liri. Më shumë socializëm –por ndryshe. Për ironi të fatit studentët arritën shumë pak për vete. Ata kërkuan ndër të tjera një pagë minimale për punëtorët. Shumica e punëtorisë nuk e kuptonte avangardën studentore. Gjatë pushtimit shtatëditor të Universitetit në Beograd, firmat e mëdha rekrutuan mes punëtorëve trupa të gatshme për rrahje, nëse do të ishte e nevojshme. Nuk qe e nevojshme, sepse Tito e mori situatën në dorë, duke u dhënë studentëve pak a shumë të drejtë. Më e keqja, një larje llogarish me përgjakje u pengua. Protestuesit ndjeheshin të konfirmuar. Por ishte një fitore si e Pirros. Nga këndvështrimi gati 25-vite pas luftërave të Jugosllavisë, kjo fitore rezulton një dështim katastrofik.
Alternativa e vdekur që në lindje
Pasi Tito, udhëheqësi legjendar partizan dhe president deri në fudn të jetës u brohorit nga studentët, protestat u zbehën. Hapi tjetër ishte prerja e filizave të para të liberalizimit ekonomik. Në të njëjtën kohë partia e forcoi kontrollin ndaj skenës kulturore. Disa drejtues të studentëve, si Vladimir Mijanovic, i njohur si „Vlada" e paguan guximin e tyre me burg dhe ekzil. Tetë profesorë të Fakultetit të Filozofisë në Beograd që u shpallën fajtorë si nxitës të protestave u larguan me dekret nga universiteti.
Megjithatë diçka u vu në lëvizje. Filmi i ri jugosllav, i përmbledhur nën nocionin „Vala e zezë", muzika e re rock, letërsia më e guximshme - të gjitha këto megjithë ndalimet nuk u penguan dot. Librat e shkrimtarëve të „Shkollës së Frankfurtit" u përkthyen, dhe vazhdoi edhe ballafaqimi kritik me marksizmin dogmatik.
Epilogu jugosllav në vitet 80-të
Tito ndërroi jetë në vitin 1980. Dhjetëvjeçari që pasoi ishte një përzierje e retorikës së konsumuar socialiste me nëntone nacionaliste gjithnjë e më në forcim, një përkeqësim i madh i gjendjes ekonomike dhe një lirie që nuk kishte ekzistuar më parë. Në librari dhe biblioteka gjeje të gjithë disidentët e Lindjes si edhe qëndrime kritike të perëndimit. Për të jetuar njerëzit kishin shumë pak. Por mund të mendonin disi të lirë dhe të udhëtonin pa pengesa.