Banorët e ishullit të Hawaiit përballen me kërcënime të reja nga vullkani Kilawea. Përpos mundësisë për shpërthime të reja, një rrezik tjetër vjen nga llava që po derdhet në oqean.
Reaksioni kimik i shkaktuar pas kontaktit të llavës me ujin e kripur, formon të ashtuquajturat re toksike, të cilat bllokojnë në ajër acidin klorhidrik dhe grimca të vogla qelqi vullkanik. Kjo ka shtyrë autoritetet të këshillojnë popullsinë të qëndrojë larg kërcënimit.
Ndërkaq, në mal, lumenj llave vazhdojnë të dalin nga goja dhe çarjet e vullkanit, të krijuara javët e fundit. Sipas ekspertëve, emetimet e gazit me dioksid squfuri në zonë, janë trefishuar, duke e përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit, ndërsa në majën e vullkanit dy shpërthime të reja të mëdha, shkarkuan në atmosferë tonelata hiri.
Pamjet e filmuara me dron tregojnë shkatërrime masive që ka lënë pas dhe po vazhdon të lërë lava që po vërshon pa pushim. Të hënën është raportuar se llava është derdhur në gjirin Kapoho, duke lëshuar tym dhe gazra helmuese në zonën që zakonisht frekuentohet nga mijëra pushues. Për fat të mirë zona e prekur nga llava e vullkanit ishte evakuuar kohë më parë, dhe kështu nuk raportohet për të lënduar apo të vdekur.