Emanuel Macron e akuzoi qeverinë italiane për “cinizëm dhe papërgjegjshmëri” pas mbylljes së porteve të vendit për anijen e ndihmës me qindra emigrantë në bord.
“Në raste vështirësish, – tha Benjamin Griveaux, zëdhënësi i presidentit francez, – ata që gjenden më pranë vijës bregdetare kanë detyrën të përgjigjen”.
Por përgjigja e parë qe mori shefi i Elizesë ishte nga kryeministri i ri i Italisë Giuseppe Conte, i cili reagoi me zemërim duke e quajtur qëndrimin e Francës ndaj emigranteve “hipokrit”. “Kur vjen fjala tek emigracioni, -tha shefi i ekzekutivit, – janë ca vende që vetë preferojnë të kthejnë shpinën”.
Përgjatë 5 viteve të fundit, në Itali kanë hyrë mbi 640,000 të huaj, shumica afrikane dhe Roma thotë se partnerët e saj të BE-së duhet t`ia lehtësojnë ca barrën.
Pjesa dërrmuese e atyre që i mbijetojnë udhëtimeve të rrezikshme nga Afrika Veriore përfundojnë në kampet e mbipopulluara të Italisë, përfshirë këtu dhe refugjateve që i largohen luftës dhe persekutimit, të cilët kanë të drejtë për azil.
Aquarius tani do të shoqërohet nga një anije bregdetare italiane, Dattilo dhe një luftanije e do të niset drejt Valencias. Këto të dyja pritet t’i marrin emigrantet në bord shumë shpejt. Dattilo ka mjek dhe punonjës të UNICEF-it.
Ekuipazhi i Aquarius njoftoi me herët se anija nuk udhëtonte dot drejt Spanjës në kushtet e mbipopullimit ndërsa deti sa vjen e po trazohet.