Italia nuk synon të ratifikojë marrëveshjen e tregtisë së lirë mes Bashkimit Europian dhe Kanadasë (CETA), duke vlerësuar se nuk mbron mjaftueshëm markat e kontrolluara të vendit të origjinës, njoftoi sot ministri i ri italian i Bujqësisë.
“Ne nuk do të ratifikojmë marrëveshjen e tregtisë së lirë me Kanadanë pasi ajo mbron vetëm një pjesë të vogël të PDO-ve tona (markat e kontrolluara të vendit të origjinës) dhe të PGI-ve (treguesi gjeografik i mbrojtur)”, sqaroi Gian Marco Centinaio, në një intervistë dhënë për “La Stampa-n”.
“Ne do t’i kërkojmë Parlamentit që të mos ratifikojë këtë traktat dhe të tjerë të ngjashëm me CETA-n. Kjo është e parashikuar në kontratën e qeverisë, e nënshkruar mes Ligës (ekstremi i djathtë) dhe Lëvizjes 5 Yjet (L5Y, antisistem), e cila zotëron shumicën në Parlament”, sqaroi ai, raporton atsh.
Ky nuk është vetëm një qëndrim i sovranistëve të Ligës, por dyshimet rreth kësaj marrëveshje janë të përbashkëta me ato të shumë kolegëve europianë.
Ky traktat ka ngjallur gjithashtu polemika të ashpra në Francë, ku kundërshtarët e tij paralajmërojnë për rreziqet që mund të shkaktojë në planin shëndetësor dhe atë të mjedisit.