Gazetari Stefan Cvetkoviq nga Bella Cërkva, i cili është zhdukur parmbrëmë, disa herë gjatë punës së tij ka qenë në qendër të vëmendjes. Herën e fundit për shkak të hulumtimit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kur paraqiti një sërë informatash dhe nxori në pah personat nga rrethi kriminal si përgjegjës për këtë vrasje.
Detajet për vrasjen e Ivanoviqit, të cilët dolën nga hulumtimi i tij i përbashkët me kolegët nga Kosova, Cvetkoviq i paraqiti më 31 janar, dy javë pas vrasjes, në konferencë për shtyp.
Ai në këtë konferencë kishte treguar edhe fotografinë e njërit prej personave nga rrethi kriminal në veri të Mitrovicës, si dhe të një oficeri të Policisë së Kosovës. Ka theksuar se për vrasje të Ivanoviqit janë paguar 40.000 euro.
Atëbotë Cvetkoviq ka theksuar se “gjithçka tregon se bëhet fjalë për aktin kriminal dhe se prapavija e vrasjes është absolutisht kriminale”.
“Nuk ka kurrfarë lidhje as me pozita kombëtare, as politike, apo me njerëz të cilët i kryejnë funksione politike si në Prishtinë apo në Beograd”, ka pretenduar në atë konferencë.
Duke dhënë detaje mbi grupin kriminal, ai ka pretenduar se xhirimet nga kamerat e sigurisë në veri të Mitrovicës paraqesin lëvizjet e dyshimta të personave të rrethit kriminal.
“Kemi pasur informata nga video mbikëqyrjet private në veri të Mitrovicës ku kemi vërejtur persona për të cilët kemi pasur indikacione se i përkasin grupit të kryerësve. Një person është parë se lëvizë në vendin e krimit së paku 14 herë në mes të 12 dhe 16 janarit. Personi i cili kishte ardhur më 12 janar dhe nuk e ka braktisur Kosovën më 16 janar, kur edhe është vrarë Oliver Ivanoviqi. Ai edhe disa persona tjerë, së paku gjashtë prej tyre, janë në kontakt gjatë gjithë kohës dhe kemi informata se kanë qëndruar në veri të Mitrovicës deri në mbrëmjen e 18 janarit”, ka pretenduar Cvetkoviq atëbotë duke treguar edhe fotografinë e personit për të cilin ka folur.
“Nikoqiri i tyre është një person nga rrethi kriminal, i njohur edhe për autoritetet e Kosovë edhe për ato serbe por edhe për institucione ndërkombëtare.”, ka thënë ai, duke pretenduar se ky person edhe i ka siguruar armët.
Kur është fjala për punët e grupit kriminal, Cvetkoviq ka pretenduar se grupi merret me trafikim të narkotikëve të të gjitha llojeve, si dhe me qarkullim jolegal të mallit me akcizë, marrja të objekteve hoteliere….
“Ivanoviqi ishte cak i mirë për krijimin e kaosit në territor të Kosovës në mënyrë që të mbahet gjendja e tensionuar si dhe të shkaktohen pasojat me ndikim të gjerë në marrëdhëniet në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë dhe kështu të mos rrezikohen veprimet e tyre kriminale me çfarëdo qetësimi të situatës”, ka thënë ai.
Ai e ka paraqitur edhe një slajd nga vendi i vrasjes në të cilin shihet një polic se si gjatë gjithë kohës derisa zgjatë shikimi i vendit të ngjarjes ai bisedon me telefon, dhe e ka publikuar fotografinë e tij.
“Ky është polic i PK-s, i cili gjatë gjithë kohës ka qenë në vendin e ngjarjes”, ne pyesim: a ekziston listingu i telefonit prej të cilit ka folur, cilët telefona ka kontaktuar dhe a është në mes tyre ndonjë njeri i cili është i lidhur me krimin dhe personat për të cilët kemi treguar”, pyeti në fund Cvetkoviq.