15 qershori shënon ditën e parë të Fiter Bajramit e bota muslimane përgatitet për kremtime.
Mijëra besimtarëve iu drejtuan këtë mëngjes xhamive në emiratet e bashkuara arabe. Me të dalë rrezet e para të diellit, njerëzit janë mbledhur të luten së bashku.
Arabia Saudite, Kuvajti, Omani e Bahreini e festojnë të premten këtë ditë të shënuar të kalendarit Islam, ashtu si dhe Indonezia e plot vende të tjera, ndërsa në Indi e Pakistan kremtimet do të mbahen në datë 16 qershor, sepse atje hëna nuk u shfaq.
Bajrami nuk ka një datë të përcaktuar, ai varet nga shfaqja e hënës së re. Kremtimet e Fiter Bajramit shënojnë dhe fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Familjarë e miq mblidhen bashke për lutje e në disa kultura, tradita e kërkon të mbahen veshje të reja dhe të piqen ëmbëlsira, ndërsa femrat zbukurojnë duart me kena.
Shumë besimtarë e përdorin këtë festë edhe si kohë për të dhuruar, sepse i gjithë muaji i Ramazanit përbën në vetvete një kohë reflektimi.
Agjërimi, tipari kryesor i tij, është një prej 5 shtyllave të Islamit dhe një moment tejet shpirtëror për myslimanët anembanë botës që të fokusohen tek vetëpastrimi, qetësia, durimi dhe përkushtimi ndaj fesë. Këtë radhë, me rastin e Ramazanit, edhe talebanët në Afganistan janë duke respektuar një armëpushim të pazakontë disa ditor, edhe pse e lëshuan sërish një paralajmërim kundër të huajve në rajon.