Emigracioni do bashkojë ose do shkatërrojë Bashkimin Europian

E Enjte, 28 June 2018 13:46

Kancelarja gjermane Angela Merkel u ka bërë thirrje udhëheqësve evropianë të punojnë së bashku për gjetjen e zgjidhjeve për emigracionin e paligjshëm.

Ajo i tha parlamentit të Gjermanisë se çështja mund të jetë një moment përcaktues për Bashkimin Europian.

Thirrja vjen para mbledhjes së samitit të BE që do jetë i fokusuar në këtë çështje.

Merkel nënvizoi se emigracioni 'do të bashkojë ose do të shkatërrojë Bashkimin Europian'.

Ajo i kërkoi Parlamentit gjerman që të mbështesë një politikë të ashpër, por njerëzore përsa i përket azilit dhe emigracionit për BE, duke paralajmëruar se nëse Gjermania nuk e mbështet atë, çështjet e emigracionit mund të përcaktojnë fatin e Evropës.

Merkel është nën presion për të dalë me një marrëveshje që pengon hyrjen e emigrantëve të paligjshëm në BE.

Ministri i Brendshëm Horst Seehofer, nga partneri i saj i koalicionit bavarez CSU, i ka dhënë asaj afat deri këtë fundjavë. Përndryshe ai ka thënë se do të fillojë largimin e emigrantëve nga kufiri në shtetin e tij.