Kryeqyteti grek është përfshirë nga përmbytje të shumta pas shirave të dendur të rënë gjatë ditëve të fundit. "Kathimerini" shkruan se autostrada kombëtare Athinë-Korint u mbyll për rreth dy orë në km 29, ndërsa nën ujëra ishte edhe Atika Perëndimore, pas stuhive që goditën pjesë të ndryshme të Greqisë të mërkurën. Trafiku në të dy drejtimet e autostradës u rivendos vonë pasdite.
Shërbimi ndaj zjarrit i është përgjigjur 95 telefonatave nga Atika perëndimore për të nxjerrë ujin nga shtëpitë dhe dyqanet dhe për të ndihmuar qytetarët e bllokuar.
Në Mandra, qyteti perëndimor bregdetar që u godit rëndë në përmbytjet e nëntorit të fundit, ku mbetën të vdekur 20 persona, rrëketë e lumenjve që u krijuar pas disa orësh reshjesh, shkaktuan përmbytje të shumta.
Moti mori një kthesë të papritur të martën në Greqi, duke sjellë shi të rrëmbyeshëm që preku shumë rajone të vendit, veçanërisht në Greqinë qendrore dhe Atika.