Presidenti i SHBA Donald Trump thotë se ka në plan të njoftojë se kush do të jetë i përzgjedhuri i tij për t'u emëruar gjykatës në Gjykatën e Lartë, më 9 korrik. Ai u tha gazetarëve në aeroplanin presidencial 'Air Force One' se ai kishte ngushtuar zgjedhjen deri tek "rreth pesë" kandidatë, duke përfshirë dy gra.
Vendi i lirë u krijua kur gjyqtari Anthony Kennedy njoftoi daljen në pension më parë këtë javë. Kjo i jep presidentit Trump mundësinë për të krijuar një shumicë konservatore në gjykatën e lartë.
I propozuari nga Trump do të duhet të konfirmohet nga Senati ku Partia Republikane e presidentit mban një shumicë të ngushtë. Duke folur gjatë një fluturimi nga Uashingtoni në New Jersey të premten, Presidenti Trump tha se ai nuk do t'u kërkojë kandidatëve për gjykatës në Gjykatën e Lartë se çfarë pozicioni mbajtën në vendimin historik të 1973, për Roe v Wade i cili legalizoi abortin në të gjithë SHBA.
Gjatë fushatës së tij, Trump premtoi të vendosë gjyqtarë "pro-jetës" në Gjykatën Supreme - një perspektivë që ka alarmuar grupet e të drejtave të grave.