Meksikanët i janë drejtuar kutive të votimit për të përcaktuar presidentin e ri në zgjedhjet më të përgjakshme të historisë së vendit.
Më shumë se 130 kandidatë dhe punonjës të fushatave politike janë vrarë qëkur fushata nisi shtatorin e shkuar. Sondazhet japin favorit kandidatin e majtë Andres Manuel Lopez Obrador, 64 vjeç, ish kryebashkiaku i kryeqytetit Meksiko City, i cili është zotuar që të luftojë korrupsionin.
Nëse ai fiton, mund të nxjerrë jashtë loje dy partitë që qeverisin Meksikën prej thuajse një shekulli. Veç presidentit të ri, meksikanët do të zgjedhin edhe 128 senatorë dhe 500 përfaqësues në kongres. 88 milion meksikanë kanë të drejtë vote dhe sipas analistëve këto zgjedhje, për vetë faktin që janë luftuar kaq shumë, pritet që të kenë pjesëmarrje rekord.
Për më tepër, pakënaqësia e madhe ndaj presidentit aktual Enrike Pena Nieto ka arritur kulmin dhe meksikanët e bëjnë atë e administratën e tij fajtorë për ekonominë e dobët, korrupsionin galopant, krimin dhe pandëshkueshmërinë.
Njeriu që pritet ta zëvendësojë, Andres Manuel Lopez Obrador që është bërë i famshëm edhe me inicialet AMLO, e ka bërë korrupsionin prioritetin e platformës së tij. Ai gjithashtu ka premtuar rritje pagash e pensionesh duke eliminuar abuzimet e elitës politike dhe të biznesit.
Rivalët e tij, që renditen shumë prapa në sondazhe, janë përpjekur ta përshkruajnë Obradorin si një populist, të cilit s’mund ti besohet ekonomia, por parashikimet tregojnë të paktën deri tani se meksikanët nuk e kanë dëgjuar këtë mesazh.