Presidenti Donald Trump thotë se ka siguruar angazhimet e anëtarëve të NATO-s për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes, pasi për ditë me radhë udhëheqësi amerikan kishte thënë se Uashingtoni po mbante një barrë të tepruar të mbështetjes financiare të aleancës,
"Ata kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme angazhimin e tyre për mbështetjen financiare dhe ne jemi shumë, shumë të kënaqur dhe kemi një NATO shumë, shumë të fuqishme”, u tha zoti Trump gazetarëve në mbyllje të takimit të aleancës në Bruksel.
Ai nuk tha konkretisht se cilat vende ishin angazhuar dhe për çfarë shumë. "Disa janë në nivelin e angazhimit për 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe të tjerë kanë rënë dakord që të arrijnë në nivelin 2 për qind.
Një ditë më parë zoti Trump kishte sugjeruar që aleatët e NATO-s të premtonin që ta rrisnin deri në 4 për qind kontrinutin e tyre të mbrojtjes deri në vitin 2024.
"Unë kam besim tek NATO”, tha zoti Trump në një konferencë për shtyp por shtoi se Shtetet e Bashkuara po trajtohen shumë padrejtësisht, duke mbështetur financiarisht aleancën ushtarake shtatëdhjetëvjeçare, duke këmbëngulur se Uashingtoni po mbante barrën e shpenzimeve në masën 70 deri në 90 për qind, gjë që ai tha se nuk ishte e drejtë për taksapaguesit amerikanë.
Presidenti amerikan tha se vendet anëtare të NATO-s kanë rënë dakord që të rrisin me shpejtësi kontributin e tyre për buxhetet ushtarake me 2 për qind.
Zoti Trump tha se ai mund t’i nxirrte Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja pa miratimin e Kongresit port ha se kjo “do të ishte e panevojshme” pas angazhimit që morën anëtarët e aleancës. “Në atë sallë kishte një ndjesi shumë pozitive kolegjiale, shumë të bashkuar, shumë të fortë”.
"NATO-ja është tani një makineri që funksionon mirë”, tha zoti Trump. Presidenti amerikan ka kërkuar që në hapje të takimit të nivelit të lartë dyditor që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes. Gjatë një mëngjesi pune me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, zoti Trump akuzoi Gjermaninë se ishte “rob” i Rusisë pasi kishte lejuar kompaninë ruse të gazit, Gazprom që të ndërtonte naftësjellësin Rrjedha e Veriut, duke kaluar përmes ujrave të saj.
Kërkesat e presidentit në takimin me dyer të mbyllura të enjten, ishin të ngjashme me me ato që ai kishte bërë disa orë më herët në Twitter:
"Presidentët janë përpjekur pa sukses për vite me radhë që të bindin Gjermaninë dhe vende të tjera të pasura të NATO-s që të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre nga Rusia. Ata paguajnë vetëm një fraksion të kostos. Shtetet e Bashkuara paguajnë miliarda dollarë, një shumë e madhe për të subvencionuar Evropën dhe pastaj humbet në aspektin tregtar”, shkruante ai në Twitter.
Udhëheqësit e NATO-s po shpresonin të enjten që ta mos merreshim më me temën e kërkesës së Presidentit Trump për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe të përqendroheshin tek diskutimet për të përfunduar luftën në Afganistan. Zoti Stoltenberg do që udhëheqësit të bien dakord të mbështesin financiarisht forcat afgane të sigurisë deri në vitin 2024, pavarësisht nga dëshira e vendeve perëndimore për t’i dhënë fund angazhimit në konflikt.
Pas diskutimeve në Belgjikë, zoti Trump është nisur për në Britani ku do të pritet nga kryeministrja britanike, Theresa May, e cila gjendet në mes të një konfuzioni politik në vend nga mosmarrëveshjet brenda partive lidhur me kushtet e tërheqjes nga Bashkimi Evropian, njohur si Brexit.
Ka shumë gjasa që itinerari i zotit Trump ta mbajë atë jashtë qendrës së Londrës, ku priten protesta masive.
Pas vizitave në Angli dhe Skoci, zoti Trump do të shkojë në Helsinki për takimin e me Presidentin rus, Vladimir Putin. "Ai nuk është armiku im dhe shpresoj që një ditë të jetë miku im”, u tha zoti Trump gazetarëve kur u pyet për zotin Putin të cilin ai e ka cilësuar si “konkurrent”. VOA