Presidenti amerikan Donald Trump mbërriti dje në Londër, një qytet i përfshirë nga tensionet, paqartësitë e brendshme politike dhe protestat. Kjo është vizita e parë e Presidentit Trump në Britani që kur mori detyrën gati 18 muaj më parë.
Pak para se të mbërrinte në vend, Presidenti Trump iu referua Britanisë si "një vend i nxehtë tani."
Pas një udhëtimi me helikopter prej 15 minutash nga aeroporti i Stanstedit, Presidenti dhe Zonja e Parë Melania Trump u nisën drejt Winfield House, rezidenca e ambasadorit amerikan në Britani që ndodhet në buzë të Parkut Regent.
Ata u mirëpritën nga personeli i ambasadës amerikane me këngën këngën e grupit Beatles "We Can Work It Out" në sfond.
Presidenti dhe Zonja e Parë u takuan me ambasadorin Woody Johnson, i cili është më i njohur për rolin e tij si bashkëpronar i ekipit të futbollit amerikan New York Jets.
Presidenti ishte i shoqëruar edhe nga Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton.
Vizita ndodh në një periudhë paqëndrueshmërie politike për Kryeministren Theresa May, pasi Ministri i saj i Jashtëm, Boris Johnson dhe anëtarë të tjerë të kabinetit të saj këtë javë dhanë dorëheqjen në shenjë proteste për një plan të zbutur të qeverisë për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.