“Nuk do të jetë më e mundur, që njerëzit nga Europa të vijnë në Britani me shpresën e gjetjes së një vendi pune”, shkruan kryeministrja britanike Theresa May, në Facebook.
“Do të presim gjithnjë profesionistët e kualifikuar që ndihmojnë ekonominë tonë, nga mjekët tek infermieret, nga inxhinierët deri te sipërmarrësit, por për të parën herë në dekada do të kemi kontroll të plotë të kufijve tanë”, shkruan më tej ajo.
Plani i hartuar nga qeveria britanike për “Brexit”-in javën e kaluar, mos do të thotë fund i lëvizjes së lirë? A do të mund t’i nënshkruajmë marrëveshjet tona tregtare? Mbretëria e Bashkuar do të jetë jashtë juridiksionit të Gjykatës Europiane?
“Jam e kënaqur t’iu njoftoj se këto përgjigje janë shumë të thjeshta: po, po, po”, shkruan kryeministrja më tej, duke përsëritur garancitë e dhëna ditët e fundit përballë kundërshtive të brendshme të euroskeptikëve.
E në fakt, këtë të premte është publikuar “Libri i bardhë”, ose dokumenti në të cilin renditen objektivat e qeverisë në lidhje me marrëdhëniet e ardhshme tregtare, që Mbretëria e Bashkuar kërkon të vendosë me BE-në pas daljes nga unioni, parashikuar kjo të ndodhë në fund të marsit 2019.
Në 98 faqe janë ravijëzuar kornizat për një marrëdhënie të re me BE-në, sipas modelit të vendeve si Ukraina apo Norvegjia. Sugjerohet mes të tjerash edhe krijimi i një këshilli ministerial dypalësh, të destinuar të mblidhet dy herë në vit, si dhe të një organi abritrazhi për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi probleme tregtare dhe politike.