Pushteti dhe opozita nuk arritën të harmonizojnë qëndrimet lidhur më çështjen e mbajtjes së referendumit, përkundër tetë orë bisedime në kuadër të raundit të tretë të takimit të liderëve politikë.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pas përfundimit të takimit, akuzoi kryetarin e partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, Hristian Mickovski se qëllimisht ka penguar arritjen e një marrëveshjeje, pasi siç tha, kur pa se nuk do të ketë asnjë amnesti për keqbërësit në shtet, vendosi të pëngojë negociatat.
Opinioni duher ta dijë, tha Zaev, se Mickovski fitoi zgjedhje të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) dhe qeveri teknike sipas kërkesës së tij, me një kusht që të ftoj qytetarët të dalin në referendum. Megjithatë, shtoi Zaev, ai zgjodhi bojkot dhe të shkatërrojë shpresat për neBE dhe NATO.
“Nuk do të lejojmë që kryesia e tanishme e opozitës të mbajë peng Maqedoninë. Ne jemi për një Maqedoni të përparuar dhe evropiane. Askush nuk do të na ndalë. Do të ketë KSHZ, do të ketë referendum dhe do të fitojë vullneti i qytetarëve”, porositi Zaev pas takimit.
Opozitari Hristian Mickovski, pas takimit tha se pengesa kryesore që nuk është arritur një marrëveshje për KSHZ-në ka qenë formulimi i pyetjes së referendumit, e cila do të duhet të jetë e njëkuptimtë.
Ai tha se referendum i suksesshëm do të jetë dalja mbi 50 për qind, mbi gjysma e të cilëve do të duhet të përgjigjen pozitivisht.
“Pozicioni ynë është i qartë dhe ky është qëndrim partiak se pyetja e referendumit duhet të jetë e njëkuptimtë, gjë të cilën e definon edhe ligji për referendum, por edhe kushtetuta”, tha Micskovski.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, nga ana e tij pjesën e parë të takimit e vlerësoi pozitivisht, pasi sipas tij, qeveria u tërhoq nga pozicionet fillestare për të mirën e përgjithshme, megjithatë tha se pjesa e dytë e takimit ishte zhgënjyes.
“Pushteti mbrojti interesat shtetërore. Dallimet janë lidhur me pyetjen që duhet të shtrohet në referendum. Natyrisht, mbarëvajtja e referendumit varet nga natyra e pyetjes. Në këtë rast, dua të apeloj që të gjithë të vendosim në rend të parë interesat e shtetit përpara interesave të partisë. Dhe mendoj se në këtë situatë, opozita duhet të vendosë në rend të parë interesat shtetërore”, tha Ahmeti.
Kreu i njërit krah të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, pas takimit përshëndeti vullnetin e qeverisë për një qeveri teknike para zgjedhjeve parlamentare dhe financimin e partive politike.
“Sa i përket referendumit, të gjitha partitë duhet të punojnë që referendum të jetë i suksesshëm”, u shpreh Kasami.
Paraprakisht, pushteti dhe opozita arritën marrëveshje për çështjet kryesore të cilat pritej t’i hapin rrugën organizimit ë referendumit, pasi kryeministri Zoran Zaev pranoi kërkesat e VMRO-DPMNE-së opozitare për qeverinë teknike, financimin e partive nga buxheti i shtetit dhe për formimin e KSHZ-së.
Takimi i liderëve është thirrur nga shkaku i zvarritjes së zgjedhjes së anëtarëve të KSHZ-së, edhe pse partitë ishin dakorduar paraprakisht për emrat e anëtarëve të rinj, gjë e cila pamundëson mbajtjen e referendumit në të cilin qytetarët e Maqedonisë do të duhet të deklarohen nëse vallë pranojnë marrëveshjen me Greqinë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut, që paraqet kushtin kryesor për antarësim në NATO dhe çelje të negociatave më Bashkimin Evropian.