Zbulimi i liqenit në Mars, hap për kolonizimin e planeteve?

Hënë, 30 July 2018 16:01

Kjo është një vrimë pak cm e gjerë, në Mars, e hapur nga sondat e Curiosity. Për të nxjerrë ujin e liqenit nga 1.5 km thellësi duhen dërguar sonda gjigante.

Uji është burimi i jetës. Pa të nuk mund të jetojë asnjë organizëm tokësor. Uji është arsyeja që Saharaja dhe Atakama janë toka djerrë.

Kur njerëzit eksploronin planetin tonë, sa herë që gjenin ndonjë ishull apo luginë të re, gjëja e parë ishte kërkimi për ujë të pijshëm. Dhe tani që po i kthejmë sytë nga qielli, duke përfytyruar një të ardhme me eksplorues të guximshëm që do të enden nëpër sistemin diellor, duke kërkuar planetë të jetueshëm, situata ka për të qenë pothuajse njësoj. Trupat qiellorë me ujë do të jenë të parët që do të kolonizohen. Prandaj, lajmi i fundit që në Mars është gjetur një trup ujor, ka pushtuar imagjinatën e atyre që kanë ëndërruar sa herë që kanë hedhur sytë nga planeti fqinj. Nëse ky zbulim vërtetohet, mundësia e dërgimit të njerëzve në Mars do të shkonte një hap përpara.

Të gjitha mediat e kanë raportuar zbulimin, disa me spekulime për mundësinë e pranisë të jetës në Mars, duke rikthyer kështu atë emocionin për të dërguar njerëz në planetin e kuq. Por cilat prej këtyre lajmeve janë të arsyeshme, cilat ekzagjerime?

Gjëja e parë që duhet mbajtur mend është se shtyrja e kufijve të njohurisë duhet bërë me kujdes. Ky është lajm i botuar nga një ekip i besueshëm dhe i respektuar, por duhet të presim verifikime të tjera para se të festojmë me shishe shampanje. Sepse është edhe fakti shqetësues që sonda SHARAD, e cila i vjen rrotull planetin nëpërmjet Orbituesit Zbulues të NASA-s për Marsin, nuk arriti të gjejë ujë në të njëjtën zonë të planetit.

Por si e bënë shkencëtarët këtë zbulim?

Me anë të një instrumenti që ndodhet në Orbituesin Mars Eskpres, të quajtur “Marsis”. Shkencëtarët nga Agjencia Hapësinore Europiane dërguan rreze me radar në sipërfaqen e Marsit. Radari arrin të futet nën tokë. Një teknologji e ngjashme përdoret edhe në Tokë për të gjetur shtretër të lashtë lumenjsh nën Sahara, si dhe mbetje të qytetërimeve të lashta që eksploruesit nuk i shohin dot teksa ecin përmbi to.

Kur po kalonte në polin jugor, sateliti mori reflektime nga thellësia e planetit, të cilat tregonin se kishte prani uji. Ky ujë nuk mund të arrihet, sepse është rreth 1.5 kilometra nën sipërfaqen e planetit. Nuk është e qartë se për sa ujë bëhet fjalë. Shenjat e para tregojnë se trupi ujor është rreth 20 kilometra i gjerë. Nuk mund të dihet se sa i thellë është me saktësi, por flitet për rreth një metër. Nëse dimensionet janë të sakta, atëherë është sasi vërtet domethënëse.

Temperatura e këtij uji është shumë e rëndësishme. Është shumë i ftohtë, rreth -70 gradë nën zero. Normalisht, në këto temperatura duhej të ishte akull, por sipërfaqja e Marist ka shumë magnez, kalcium dhe kripëra që quhen perklorate, të cilat e mbajnë ujin të lëngshëm edhe në temperatura shumë të ulëta. Ky liqen duhet të jetë shumë më i kripur se oqeanet tokësore. Megjithatë, ky nuk është problem i pakalueshëm për eksploruesit e ardhshëm. Nëse mund të futen në këtë ujë që është rreth 1.5 km nën tokë, tani ekzistojnë teknika që heqin kripën nga uji.

Prania e ujit në Mars nuk është surprizë dhe aq e madhe. E kemi ditur prej shumë kohësh që sipërfaqja e Marsit dikur ka qenë e ngrohtë dhe e lagësht. Këtë e vërtetojnë edhe testet kimike nga sondat e mëparshme, si dhe fotot komplekse të shtretërve të lumenjve, tashmë të tharë. Ekzistenca e akullit poshtë sipërfaqes së planetit është raportuar edhe më parë nga radarët.

Por ç’do të thotë kjo për mundësinë e gjetjes së gjallesave në Mars? Në fakt, jo dhe aq.

Shkencëtarët kanë kohë që dyshojnë se Marsi mund të ketë pasur jetë dikur, edhe pse nuk është fakt i pranuar. Megjithatë, klima e Marsit ka ndryshuar dhe sipërfaqja është tani e thatë. Në këto kushte, vështirë të mendohet se mund të gjejmë jetë në sipërfaqe.

Pse Marsi ka rëndësi për ne

Nëse Marsi ka pasur dikur një ekosistem kompleks, është e lehtë të imagjinohet që gjallesat mund të jenë tërhequr nën tokë teksa në sipërfaqe përkeqësohej situata. Në tokë kemi gjetur baktere të fshehura në shkëmbinj rreth 3000 metra nën sipërfaqe. Ndonëse kripa vret shumicën e baktereve (prandaj shërben për të ruajtur ushqimin), ka krijesa që jetojnë me kripën, në mjedise ku gjallesat e tjera nuk do të jetonin  dot. Në fakt, ka liqene të kripura në Antarktikë ku uji nuk ngrin, dhe aty mund të gjesh shumë baktere.

Teksa prania e liqeneve të kripura është lajm i mirë për ata që kërkojnë jetë aliene, me kaq sa është zbuluar, nuk i jemi afruar aspak ndonjë prove se atje ka jetë. Ksenobiologët dhe kërkuesit e UFO-ve duhet të presin pak më shumë për marsianët.

Do të thotë kjo që njerëzit mund të kolonizojnë Marsin?

Është shenjë pozitive. Uji është thelbësor për një koloni të suksesshme. Nëse një planet i largët nuk ka ujë, astronautët duhet ta marrin me vete.

Sipas NASA-s, astronautëve u duhen rreth 2 litra ujë në ditë, edhe pse ky numër varet shumë nga teknologjitë e riciklimit dhe pastrimit të ujit. Sasia e ujit në këto raportime është lajm i mirë për eksploruesit e të ardhmes. Megjithatë, ka pengesa teknike që duhen adresuar para se prekja e këtij uji të jetë thjesht një ëndërr e kotë. Duhet të dimë të dërgojmë pajisje të rënda, që të arrijnë të gërmojnë 1.5 km në thellësi të sipërfaqes së Marsit, si dhe pajisje që bëjnë heqjen e kripës. Kjo është një aventurë shumë e vështirë dhe shumë e shtrenjtë, edhe pse mund të arrihet nëse vendoset dëshira dhe burimet e nevojshme.

Është e vështirë të thuhet se cilat do të jenë implikimet. Ky është një zbulim i rëndësishëm në planin afatshkurtër, dhe ndoshta do të gjejnë liqene të tjera. Por se ç’do të thotë ky zbulim për të ardhmen, kjo është e paqartë. Uji i lëngshëm në Mars i hap derën kuptimit tonë për mundësinë e ekzistencës së jetës në vende të tjera të universit. Kjo mund t’i bëjë më të arsyeshme bisedat për të kolonizuar planetin. Por jemi shumë larg përparimeve thelbësore.

Ky çast është për të uruar ekipin shkencor dhe Agjencinë Hapësinore Europiane për arritjen mbresëlënëse. Nesër të mendojmë për se çfarë do të bëhet më vonë.

Don Lincoln, CNN

Në shqip nga Top Channel

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...