Të paktën 22 persona kanë humbur jetën nga tërmeti shkatërrues që goditi ishullin indonezian të Lombokut. Tërmeti i fortë 7 ballë dëmtoi ndërtesat dhe shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike.
Sipas BBC, mbi 50 persona të tjerë janë të plagosur. Tërmeti ra në një thellësi 10 metra nën tokë, ndërsa autoritetet fillimisht dhanë alarmin për cunami por më pas u hoq. Në ishullin fqinj, Bali, videot e publikuara në rrjetet sociale treguan njerëzit duke vrapuar e duke dalë të tmerruar nga shtëpitë e tyre. Ishulli indonezian i goditur nga tërmeti është mjaft i frekuentuar edhe nga turistë të shumtë.
Një javë më parë, një tjetër tërmet 6.4 ballë vrau 14 persona në ishull, ndërsa disa alpinistë u bllokuan në shpatet e një vullkani.