Familjet të cilat kanë shtëpitë poshtë urës së shembur në Gjenovë të Italisë kanë gjetur një akomodim të përkohshëm.
Guvernatori rajonal i Ligurias i dorëzoi çelësat e apartamenteve të reja banorëve që nuk kanë mundur të marrin orenditë e sendet personale nga banesat e dëmtuara. Zjarrfikësit thonë se kanë dëgjuar zhurma të forta kërcitjesh nga Morandi, ku rreziku nuk konsiderohet ende i kapërcyer plotësisht, ndaj dhe po bëhen verifikime të reja.
Por, edhe pse kanë mbetur rrugëve, disa prej këtyre njerëzve ngushëllohen me faktin që mund të kishte shkuar edhe më keq.
Karabinierët sqarojnë se poshtë urës aktualisht nuk po jeton me asnjeri dhe në këtë moment të gjithë janë të sigurtë. Kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e strukturës, e gjendur përballë një stuhie të vërtetë reagimesh që nisin nga zemërata e qytetarëve e deri tek tërheqja e koncesionit të rrugëve, ka ngritur një fond prej miliona eurosh për të ndihmuar familjet e viktimave.
43 është bilanci i të vdekurve nga tragjedia që e goditi qytetin italian në zemër të tij. Shqetësimet se Morandi herët a vonë do të rrëzohej kanë ekzistuar prej vitesh. Qytetarë, arkitektë e inxhinierë i kishin përmendur ato publikisht e ndoshta, në mënyrë më pak të hapur, këtë problem e kishin prekur dhe një apo dy politikanë lokalë.