Verifikimet po tregojnë se fatkeqësitë që goditën Italinë njëra pas tjetrës, mbase mund të ishin shmangur që të dyja.
Një raport studiuesish i vitit 2013, i dalë në dritë së fundi, dëshmon se pasiguria e urës “Morandi” në Genova paralajmërohej që atëherë.
Pyetje po ngrihen ndërkohë edhe mbi incidentin e Raganellos, ku humbën jetën 10 ekskursionistë. A duhej t’i kishte mbyllur dikush rrugët e kalimit për njerëzit që vizitonin zonën e mbushur me gryka e kanione, nisur nga fakti që ndërkohë ishin dhënë njoftime për mot të keq në rajon?
Dikur për banorët e Civitas, grykat e lumit Raganello nuk ka qenë një thesar të cilit t’i druheshin. Deri përpara 15 vitesh, këtë vend nuk e njihte askush, përveç banorëve, por tani ai është mbushur me “bed & breakfast” dhe turistë, si nga vet Italia, ashtu dhe nga pjesë të ndryshme të Europës, sidomos zviceranë, holandezë, gjermanë e austriakë.
Një mrekulli e hapur për të gjithë, por pa asnjë kontroll. Diskutohej prej kohësh për disa masa, të cilat nuk erdhën megjithatë, përpara asaj që përshkruhet si një bombë uji e që kushtoi jetë njerëzish.
Kryetari i bashkisë këmbëngul se incidenti do të kishte ndodhur gjithsesi, edhe me rregullat e reja, por fjala e fundit për këtë do t’i mbetet Prokurorisë. Ndërkohë, pretendohet se po të kishte pasur një autoritet publik, i cili të verifikonte hyrjen me ndihmën e guidave të specializuara, situata ndoshta mund të kishte qenë ndryshe. TCH