Ajo që duhej të ishte një fundjave relaksuese për të apasionuarit pas video-lojërave, përfundoi më e tmerrshmja e jetës së tyre.
Të paktën 2 persona u qëlluan për vdekje gjatë një turneu video-lojërash dhe 11 të tjerë u plagosën në një kompleks argëtimi në Jacksonville të Floridas.
Agresori ishte David Katz një 24-vjeçar nga Baltimore, i cili pasi qëlloi kë ti dilte para, vendosi të vetëvritej në vendngjarje. Mediat lokale thanë se agresori ishte irrituar pasi nuk kishte mundur të fitonte.
Mes të plagosurve ishte dhe një shqiptar. Drini Gjoka, një 19-vjeçar. Ai përmes një postimi në Twitter përshkroi ngjarjen duke e quajtur ditën më të keqe të jetës së tij. Ende nuk janë bërë të ditur emrat e viktimave.
Për ngjarjen ka reaguar dhe kompania “EA Sports”, e cila organizonte dhe kishte miratuar turneun në fjalë. Ajo u shpreh e tronditur nga kjo ngjarje e tmerrshme duke e cilësuar një akt dhune të pakuptueshëm të cilin e dënojmë fuqimisht.