May paralajmëron: Mbështesni Brexit ose do mbesim pa marrëveshje

Hënë, 17 September 2018 11:48

Kryeministri Theresa May tha se parlamenti britanik do të votojë për të mbështetur çdo marrëveshje të Brexit që del me Bashkimin Evropian dhe se nuk do të ishte e mundur të arrihej një marrëveshje më e mirë.

"Kur të arrijmë marrëveshjen, mendoj se Parlamenti do të votojë atë sepse njerëzit do të shohin rëndësinë e një marrëveshje që mban një marrëdhënie të mirë tregtare me BE-në, por që njëkohësisht na jep lirinë për të marrë përfitimet dhe mundësitë e Brexit,"-tha ajo në një intervistë për BBC.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse marrëveshja do refuzohej, May tha: "E mendon me të vërtetë... Ne kemi arritur në pikën ku kemi arritur një marrëveshje që nëse parlamenti do të thoshte jo dhe do kërkonte një tjetër, mendoni se vërtet Bashkimi Europian do të jepte një marrëveshje më të mirë?"

Kryeministrja paralajmëroi rebelët në partinë e saj se nëse nuk e mbështesin marrëveshjen e saj të mundshme të Brexit me BE atëherë do të mbesin pa marrëveshje.

Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE më 29 mars. Por deri tani nuk ka marrëveshje të plotë të daljes dhe disa rebelë në Partinë Konservatore të May kanë kërcënuar se nuk do votojnë një marrëveshje që nuk është në interes të Britanisë.

"Unë mendoj se alternativa për këtë do të jetë që do mbesim pa asnjë marrëveshje,"-shtoi May.

Fati i qeverisë së May dhe planit të saj të Brexit është në rrezik, sepse është e paqartë nëse ajo do të arrijë të marrë 320 votat që ka nevojë në parlamentin britanik, për të miratuar marrëveshjen.

Sinjalet e fundit nga Brukseli kanë nxitur shpresat se Mbretëria e Bashkuar dhe BE mund të bien dakord dhe të miratojnë një marrëveshje të duhur 'divorci' para se Britania të largohet më 29 mars, edhe pse palët janë ende të ndara në rreth 1/5 e hollësive të një marrëveshjeje.

Login to post comments