Sekretari Mattis në Shkup, në mbështetje të referendumit

Hënë, 17 September 2018 17:25

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis akuzoi Rusinë të hënën për përpjekje për të ndikuar në rezultatin e referendumit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Vota në mbështetje të ndryshimit të emrit, do t’i hapte Shkupit rrugën për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Duke folur në Shkup me udhëheqësit e Maqedonisë, sekretari Mattis tha gjithashtu se Shtete e Bashkuara po shqyrtojnë zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike me këtë vend të Ballkanit.

Maqedonasit do të votojnë më 30 shtator për një marrëveshje të nënshkruar në qershor mes Maqedonisë dhe Greqisë që do t’i ndryshonte emrin vendit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. Athina kërkonte ndryshimin e emrit që të votonte pro anëtarësimit të Shkupit në NATO dhe BE.

“Ne nuk duam të shohim Rusinë të bëjë (në Maqedoni) atë që është përpjekur të bëjë në shumë vende të tjera”, tha sekretari Mattis për gazetarët që po udhëtonin me të drejt Shkupit, duke iu referuar shqetësimeve të Uashingtonit rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

“Nuk ka dyshim që ata kanë transferuar para dhe po ndërmarrin një fushatë të gjërë ndikimi” tha zoti Mattis, duke shtuar se nuk është e qartë se sa efektive kanë qenë përpjekjet e Moskës për të ndikuar tek referendumi në Maqedoni.

Rusia i ka mohuar akuzat për ndërhyrje, por i kundërshton me forcë planet e Maqedonisë për anëtarësim në NATO.

Sekretari Mattis është zyrtari i fundit i lartë perëndimor, përfshirë kancelaren Angela Merkel që viziton Maqedonisë ditët e fundit për t’u bërë thirrje qytetarëve të saj të miratojnë referendumin.

Zoti Mattis u takua edhe me presidentin Gjorge Ivanov, i cili e kundërshton marrëveshjen për emrin.

Anketat e fundit tregojnë se shumica e maqedonasve e mbështetin ndryshimin e emrin, ndërsa nacionalistët e kundërshtojnë atë. VOA

Modifikuar më Hënë, 17 September 2018 18:12

Video

Login to post comments