Presidenti Donald Trump urdhëroi Departamentin e Drejtësisë që të deklasifikojë një sërë dokumentesh që lidhen me hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhje.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se informacioni që pritet të bëhet publik përfshin një autorizim të FBI-së për survejimin e ish-këshilltarit të fushatës Trump, Carter Page dhe raporte të bisedave që FBI-ja ka patur me zyrtarin e lartë të Departamentit të Drejtësisë, Bruce Ohr.
Në vitin 2016, zoti Ohr u vu në kontakt me ish-agjentin britanik Christopher Steele, i cili kishte hartuar një dosje, ku pretendohej se Rusia mund ta shantazhonte zotin Trump me informata inkriminuese dhe të turpshme.
Presidenti Trump ka thënë vazhdimisht se disa njerëz në FBI dhe në Departamentin e Drejtësisë janë të njëanshëm dhe se e kanë devijuar hetimin e pavarur për të provuar nëse fushata e tij ka bashkëpunuar me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016 në favor të tij.
Zoti Trump i ka mohuar akuza të tilla dhe e quan hetimin një "gjueti shtrigash".
Demokratët në Kongres thonë se Presidenti Trump po përpiqet ta minojë hetimin.