Rritja ekonomike e SHBA-së konfirmoi ecurinë e saj të mirë me një rritje prej 4,2% në tremujorin e dytë, sipas vlerësimit të bërë sot nga Departamenti i Tregtisë.
Ky është zgjerimi i Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) më i fuqishëm prej katër vitesh, pas një tremujori të parë që ishte rritur me 2,2%, shkruan ATSH.
Shpenzimet e qëndrueshme të konsumit, që janë rritur me 3,8%, ritmi më i shpejt që prej fundit të vitit të kaluar, kanë ndikuar në këtë rritje ekonomike të fuqishme si dhe investimet e larta nga ana e sipërmarrjeve.
Ekonomia amerikane është mbështetur edhe nga një politikë e nxitjes ekonomike nga ana e administratës Trump që përfshin reduktimin e taksave dhe rritjen e shpenzimeve, kryesisht ato ushtarake.