Anëtari më i ri i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara Brett Kavanaugh, filloi të martën detyrën e re në trupën më të lartë gjyqësore të vendit. Pas një procesi konfirmimi në Senat, të shoqëruar me shumë debate, që e ndanë vendin në dy kampe, ai u zotua se do ta konsiderojë çdo çështje që i shkon gjykatës, me respekt dhe me mendje të hapur.
Gjyqtari Kavanaugh foli për synimet e tij, pas një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë.
"Çdo amerikan mund të ndjehet i sigurtë se unë do të jem një gjykatës i pavarur e i paanshëm, i përkushtuar ndaj çdo procesi drejtësie të lirë dhe të bazuar në ligj.”- tha zoti Kavanaugh
Analistët e pavarur të gjykatës parashikojnë se Kavanaugh mund të pajtohet me interpretimet më konservatore të ligjit, duke e ndarë gjykatën sipas prirjes ideologjike në raportin 5-4, në favor të anëtarëve që anojnë nga e djathta.
Para se të bënte betimin, Presidenti Trump i kërkoi falje zotit Kavanaugh dhe familjes së tij, duke aluduar për hetimin ndaj akuzave se kishte sulmuar seksualisht një vajzë në vitet e shkollës së mesme.
Kavanaugh i mohoi akuzat e vajzës, Christine Blasey Ford, tani profesoreshë universiteti në Kaliforni.
"Në emër të vendit tonë, i kërkoj falje Brett-it dhe të gjithë familjes Kavanaugh, për dhimbjen e tmerrshme dhe vuajtjen që u detyruat të kaloni, një hetim historik, që provoi se ishit i pafajshëm,”- tha Presidenti Trump.
Në fakt, shqyrtimi nga FBI-ja i akuzave, nuk ishte një hetim kriminal dhe raporti i saj nuk arriti në përfundim nëse ai ishte, apo jo fajtor.
Kavanaugh bëri zyrtarisht betimin të shtunën, menjëherë pasi Senati e miratoi kandidaturën e tij me rezultatin e ngushtë 50-48, për në vendin e përhershëm në gjykatën më të lartë të vendit.
Pak orë para ceremonisë së të hënës në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë,
Presidenti Trump e akuzoi opozitën demokrate për komplot, për të mos e lejuar zotin Kavanaugh të bëhej anëtar i Gjykatës.