Presidenti i SHBA Donald Trump ka sugjeruar se "vrasës mashtrues" mund të jenë pas zhdukjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi në Turqi.
Duke folur me gazetarët pas një telefonate me Mbretin Salman, ai tha se udhëheqësi saudit kishte mohuar në mënyrë të vendosur që të kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur me zotin Khashoggi.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo po fluturon menjëherë për në Arabinë Saudite. Hetuesit sauditë dhe turq do të zhvillojnë kontrolle në konsullatën saudite ku z. Khashoggi u pa për herë të fundit.
Zyrtarët turq besojnë se z. Khashoggi u vra në konsullatë nga agjentët sauditë thuajse dy javë më parë, por Riadi e ka mohuar në vijimësi autorësinë.
Çështja ka tensionuar lidhjet e Arabisë Saudite me aleatët e saj më të ngushtë perëndimorë. Z. Trump e përshkroi para gazetarëve mohimin e Mbretit Salman si "shumë, shumë të fortë".
Të shtunën, zoti Trump kërcënoi Arabinë Saudite me "ndëshkim të rëndë" nëse zbulohet që z. Khashoggi ishte vrarë brenda konsullatës, por përjashtoi ndalimin e kontratave të mëdha ushtarake me Rijadin.