Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, do të takojë sot në Riad mbretin Salman të Arabisë Saudite, pas kundërthënieve në rritje për fatin e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.
Pompeo do të vizitojë më pas Turqinë, ku Khashoggi është parë për herë të fundit në konsullatën saudite në Stamboll, më 2 Tetor.
Zyrtarët turq besojnë se Khashoggi është vrarë nga agjentët sauditë, por Riadi e mohon këtë.
Të hënën, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se “vrasësit mashtrues” mund të jenë pas zhdukjes së gazetarit.
Trump nuk dha asnjë dëshmi për të mbështetur komentet e tij, por tha se gjatë një bisede telefonike me mbretin saudit, ky i fundit tha se nuk është në dijeni se çfarë ka ndodhur me Khashoggin.
Në orët e para të ditës së sotme, policia turke u largua nga konsullata saudite në Stamboll, pas një bastisjeje gjatë natës.
Raporte të pakonfirmuara në mediat amerikane thonë se Arabia Saudite po përgatitet të pranojë se Khashoggi vdiq si rezultat i një procesi të marrjes në pyetje që shkoi keq dhe se synimi fillestar ishte që ai të rrëmbehej.
Gazetari saudit Jamal Khashoggi jetonte si azilant në Turqi dhe kishte shkuar në konsullatën arabe të Stambollit, për të marrë një certifikatë martesore, por nuk doli kurrë që andej