Është thelluar bilanci i viktimave pas shpërthimit në Krime ditën e sotme në një kolegj. Në fillim u raportua për 10 viktima dhe 50 të plagosur por tani sipas mediave të huaja, që I referohen deklaratës së Sergei Aksyonov, zyrtar i lartë i Moskës në Krime, numri i viktimave ka shkuar në 18 persona.
Shumica prej tyre studentë si dhe nga stafi i kolegjit. Ai i tha televizionit shtetëror rus se për ngjarjen kishte një të dyshuar të vetëm dhe bëhej fjalë për një student mashkull 22-vjeçar i kolegjit, i cili vrau veten pas sulmit.
“Ai qëlloi veten, ishte një student i vitit të katërt në kolegj,” tha Aksyonov, sipas BBC. “Trupi i vrasësit u gjet në bibliotekë në katin e dytë … Është një tragjedi e tmerrshme, nuk e dimë se çfarë e ka shkaktuar”, tha ai.
Komiteti Kombëtar Anti-Terrorizëm tha në një deklaratë se shpërthimi në kolegj, në qytetin Kerç në Krime lindore, u shkaktua nga një pajisje eksplozive e paidentifikuar.
Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitri Peskov, u tha gazetarëve se zyrtarët po hetojnë për një sulm të mundshëm terrorist.
Peskov tha se Putin ka udhëzuar hetuesit dhe agjensitë e inteligjencës që të kryejnë një hetim të plotë dhe të ngushëllonin familjet e viktimave.
Rusia anoi në mënyrë të njëanshme Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, një veprim që shkaktoi sanksione perëndimore.