Trump: Kërkojmë nga Turqia audio dhe video për gazetarin e zhdukur saudit

E mërkurë, 17 October 2018 21:04

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha të mërkurën se ai do të dëshironte të kishte informacione audio dhe video nga Turqia, "nëse ekzistojnë", lidhur me zhdukjen e një gazetari saudit që jetonte në SHBA, për të cilin zyrtarët turq thonë se u vra dhe më pas trupi i tij copëtua nga agjentët sauditë në konsullatën e Riadit në Stamboll.

Kërkesa e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë erdhi pasi ai shprehu mbështetje për Arabinë Saudite, një aleate e vjetër e SHBA dhe tha se pret që hetimi i tyre për çështjen e gazetarit të zhdukur Jamal Khashoggi të përfundojë deri në fund të javës. Arabia Saudite ka mohuar se Khashoggi është vrarë.

I pyetur nga Fox Business në një intervistë se si do të vepronte nëse hetimi saudit tregon se përgjegjës janë udhëheqësit e Arabisë Saudite, mbreti Salman dhe princi i kurorës Mohammed bin Salman, Presidenti Trump tha: "Shpresoj se do të jemi në anën më të mirë e ekuacionit".

"Ju e dini që ne kemi nevojë për Arabinë Saudite sa i përket luftës sonë kundër terrorizmit, asaj që po ndodh në Iran dhe vende të tjera," tha zoti Trump.

I pyetur nëse SHBA do të distancohej nga Arabia Saudite për rastin Khashoggi, Presidenti Trump tha: "Unë nuk dua ta bëj këtë dhe sinqerisht ata na kanë bërë një kontratë-porosi të jashtëzakonshme, 110 miliard dollarë". Ai iu referua një blerjeje të premtuar armësh amerikane në vitet e ardhshme.

"Janë 500 mijë vende pune, janë në fund të fundit 110 miliardë dollarë. Është porosia më e madhe në historinë e vendit tonë nga një ushtri e huaj dhe unë shtrova pyetjen: a do ta anulojmë këtë?” tha zoti Trump.

"Pra, shpresojmë se do të funksionojë. Do ta zbulojmë, do t’i shkojmë deri në fund," tha Presidenti Trump për hetimin saudit. "Shpresoj që mbreti dhe princi i kurorës të mos kenë ditur gjë. Kjo është diçka e madhe për mendimin tim dhe shpresoj që ata të mos kenë ditur gjë."

Komentet e presidentit erdhën pasi Sekretari i Shtetit Mike Pompeo përfundoi vizitat në Arabinë Saudite dhe në Turqi për bisedime me udhëheqësit e Arabisë Saudite si dhe me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu rreth zhdukjes së Khashoggit, i cili u pa për herë të fundit më 2 tetor kur hyri në konsullatën saudite në Stamboll.

Sekretari Pompeo, duke u kthyer në Uashington, u tha gazetarëve se SHBA duhet “të dinë faktet para se të mund të fillojmë të formulojmë se cila do të ishte “përgjigjja e përshtatshme" nëse Arabia Saudite është përgjegjëse për zhdukjen e Khashoggit.

"Unë mendoj se është e rëndësishme që të gjithë të mbajnë parasysh se ne kemi shumë marrëdhënie të rëndësishme - marrëdhëniet financiare midis kompanive amerikane dhe saudite, marrëdhënie qeveritare, gjërat për të cilat ne punojmë së bashku në të gjithë botën", tha zoti Pompeo.

"Përpjekjet për të zvogëluar rrezikun ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga nxitësi më i madh shtetëror i terrorizmit, Irani - sauditët janë partnerë të mirë për të punuar së bashku me ne në këto çështje".

"Këto janë elemente të rëndësishme të politikës amerikane, janë në interesin e amerikanëve dhe ne thjesht duhet të sigurohemi se jemi të vetëdijshëm për këtë, para se qeveria e Shteteve të Bashkuara të marrë vendime, kur të mësojmë të gjithë faktet e lidhura me gjithçka që mund të ketë ndodhur," zoti Pompeo.

Më parë, Sekretari Pompeo tha se kur u takua me udhëheqësit sauditë ata nuk donin të flisnin për ndonjë nga faktet që kishin të bënin me zhdukjen e Khashoggit.

Ndërsa drejtohej për në Ankara për të folur me krerët turq në lidhje me hetimin e tyre ai tha se monarku saudit dhe djali i tij e siguruan se do t’ia "tregonin të gjithë botës" rezultatet e hetimit të tyre.

Zoti Pompeo tha se sauditët u zotuan të mbanin përgjegjës "cilindo që lidhet me ndonjë keqbërje që mund të konstatohet", duke mos bërë asnjë përjashtim për askënd, përfshirë anëtarët e familjes mbretërore.

I pyetur nëse zyrtarët sauditë i thanë atij nëse Khashoggi është gjallë apo i vdekur, zoti Pompeo tha: "Nuk dua të flas për ndonjë nga faktet. As ata nuk dëshirojnë, sepse duan të kenë mundësinë për të bërë hetimin në një mënyrë të plotë."

Gazeta Wall Street Journal njoftoi të martën vonë se operativët sauditë e rrahën dhe e droguan Khashoggin, pastaj e vranë dhe ia copëtuan trupin. Gazeta thoshte se zyrtarët turq u kanë dhënë zyrtarëve sauditë dhe amerikanë dëshmi, duke përfshirë detajet e një regjistrimi zanor.

Zyrtarët turq kanë identifikuar 15 persona të dyshuar që ata thonë se shkuan në Stamboll dhe hynë në konsullatë ditën kur Khashoggi u zhduk. New York Times dhe Washington Post njoftuan të martën vonë se disa njerëz nga kjo listë janë të lidhur me shërbimet saudite të sigurisë dhe me princin e kurorës.

Agjencia e lajmeve Associated Press citoi gjithashtu një zyrtar të lartë turk që thoshte se gjatë një hetimi në konsullatën saudite, hetuesit turq gjetën prova për vrasjen e Khashoggit, por nuk dhanë hollësi të mëtejshme. Reuters tha se hetuesit gjetën "prova të forta", por asnjë dëshmi përfundimtare për vdekjen e Khashoggit. VOA

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...