Përfaqësuesit e Tregtisë në SHBA, bënë të ditur në Kongres se synojnë të hapin bisedime me Bashkimin Europian, Mbretërinë e Bashkuar dhe Japoninë. Sipas rregulloreve, SHBA nuk mund të nisin bisedime tregtare me BE, Japoninë dhe Mbretërinë e Bashkuar deri 90 ditë pas njoftimit në Kongres.
“Ne do të vazhdojmë të zgjerojmë tregtinë dhe investimet e SHBA, duke negociuar marrëveshje tregtare me Japoninë, Bashkimin Europian dhe Britaninë”-tha përfaqësuesi i tregtisë, Robert Lighthizer. Komentet e tij në Kongres vijnë pak javë përpara se SHBA të riorganizonte Marrëveshjen Tregtare të Amerikës së Veriut me Meksikën dhe Kanadanë, ndërkohë që administrata përballet me tensione të vazhdueshme me Kinën.
Administrata e Trump synon që të trajtojë barrierat tarifore dhe jo tarifore si dhe të arrijë një tregti më të drejtë dhe të balancuar me Bashkimin Europian dhe Japoninë. Japonia është treg i rëndësishëm por edhe nën performues për eksportuesit amerikanë, sipas deklaratës.SHBA ka një deficit prej 69 miliardë dollarë në mallra me Japoninë, ku pjesën më të madhe e zë industria e makinave. Për Bashkimin Europian, përfaqësuesit e tregtisë bënë të ditur se ekziston një tregti dypalëshe vjetore prej 1.1 trilionë dollarë, që është marrëdhënie më e madhe dhe komplekse ekonomike në të gjithë botën.
Me Europën, SHBA ka një deficit tregtar në mallra prej 151.4 miliardë dollarë. Deklarata në kongres për Britaninë, theksonte se planifikohet të nisin negociata sa më shpejtë që Britania të jetë gati, pasi të dalë nga Bashkimi Europian më 29 Mars.