Një person ka marrë peng për disa orë 4 gra, në një zyrë postare në Pieve Modolena, rajon i Reggio Emilia. Sipas mediave italiane, pengmarrësi është identifikuar si Francesco Amato, i dënuar në procesin e Ndranghetës. Fillimisht pengjet ishin pesë, por arkëtarja 54-vjeçare, e cila shfaqi probleme me shëndetin, u la e lirë nga Amato. Ndërkohë pas negociatave me policinë, Amato la të lirë edhe 4 pengjet e tjera, si dhe u dorëzua më pas pa bërë rezistencë.
Njëra nga gratë e cila u mor peng është shprehur për mediat se Amato kërkonte të takohej me ministrin e Brendshëm, Matteo Salvini.
“Jemi mbyllur brenda. Zoti Amato kërkon të flasë me Salvinin. Ka një thikë në dorë. Unë punoj këtu, bashkë me tre koleget e mia. Zotëria ndodhet këtu prej orësh. Ai na kërcënoi se nëse hapim derën, njëra nga ne do të kishte një fund të keq”, kështu u shpreh njëra nga punonjëset e postës.
Kutojmë këtu se Amato u arrestua si pjesë e operacionit ‘Aemilia’ më 28 Janar të 2015-ës. Ai u dënua me 19 vite dhe një muaj burg, si drejtues i klanit mafioz të Ndranghetta-s, për zonën e Emiglia Romagnas.