Kryeministrja britanike Theresa May i doli në mbrojtje projekt-marrëveshjes së saj të debatueshme për çështjen Brexit, duke i bërë thirrje publikut britanik ta mbështesë atë.
Kritikët brenda partisë, të cilët ankohen se marrëveshja e propozuar do ta kthejnë Britaninë në një "shtet vasal", përgatitën ndërkohë një kërkesë zyrtare për largimin e zonjës May.
Marrëveshja e propozuar me Bashkimin Evropian, më shumë se dy vjet pasi britanikët votuan në një referendum për të dalë nga blloku, shkaktoi dorëheqjen e 6 ministrave. Marrëveshja u bë gjithashtu shkak për një situatë tensioni të lartë në Dhomën e Komuneve, ku kryeministres iu bë pritja më armiqësore që një kryeministër ka patur që nga viti 1940, kur Neville Chamberlainin e detyruan të largohej nga detyra, në fillim të Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë një interviste në radio, zonja May tha se ka negociuar marrëveshjen më të mirë të mundshme, pavarësisht se janë kaluar shumë "vija të kuqe" të vendosura më parë prej saj. Zonja May dhe besnikët e saj thonë se nuk ka alternativë tjetër veç marrëveshjes së propozuar prej rreth 538 faqesh, fyut i bisedimeve të vështira. Sipas tyre alternativat do të ishin edhe më të pakëndshme për Britaninë ose të pamundura që BE-ja të mund t’i pranonte.
Barra e kryeministres u lehtësua të premten, kur një ministër i lartë, Michael Gove, i përfolur se do të jepte dorëheqjen në shenjë proteste ndaj marrëveshjes, tha se do të qëndronte në kabinetin qeveritar.
Megjithatë mbetet ende e paqartë nëse të tjerë emra të linjës së ashpër të Brexit-it në kabinetin e mpakur të kryeministres May, do të ndjekin vendimin e zotit Gove gjatë javëve të ardhshme për të mos dhënë dorëheqjet. Deri tani, mbështetës të tjerë të daljes nga BE-ja, kanë bërë të ditur se do të qëndrojnë në kabinet me qëllimin për të përmirësuar marrëveshjen.