Mijëra francezë kanë protestuar rritjen e taksës për karburantin dhe politikat ekonomike të presidentit Emmanuel Macron, duke zhvilluar demonstrata që bllokuan rrugët dhe shkaktuan shumë aksidente, përfshirë një që rezultoi fatal. Dhjetëra njerëz u plagosën ndërkohë që shoferët u përpoqën të dalin nga bllokadat, pasi protestuesit bllokuan autostradat, hyrjet në tunele dhe rrugët që lidhen me aeroportet. Protesta, që u koordinua në mediat sociale, u nxit nga rritja e çmimit të karburantit, ankesave të tkurrjes së fuqisë shpenzuese si dhe nga pakënaqësitë ndaj Macron.
Ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner, tha se në një bllokadë në departamentin e Savoie në juglindje, një shofere e kapi paniku dhe përshpejtoi makinën, duke vrarë një protestuese. Të paktën 227 njerëz janë plagosur në të gjithë Francën, sipas Ministrisë së Brendshme, që bëri të ditur se 283 mijë persona morën pjesë në protesta. Policia përdori gaz lotsjellës për të zhbllokuar hyrjen në një tunel në malin Mont-Blanc dhe u ndeshëm me protestuesit në Paris dhe në qendër të Lyonit.
Protestuesit kërkonin dorëheqjen e Macron dhe ngritën slogane si “na ktheni mbrapsht fuqinë blerëse”. Në 18 muaj në detyrë, Macron ka hasur përplasje me sindikatat ndërkohë që ka lehtësuar ligjet e punës dhe riorganizuar operatorin shtetëror të hekurudhave, në përpjekje për të nxitur ekonominë. Popullariteti i Macron ka rënë në 21%, pasi është quajtur “presidenti i të pasurve”, për masa si heqja e taksës mbi pasurinë. Rritja e taksave në duhan dhe karburant, si dhe rritja e kontributeve në sigurinë sociale, ka lënë shumë njerëz me më pak të ardhura.