Kreu i shërbimit informativ ushtarak rus GRU, gjenerali Igor Korobov ka ndërruar jetë në moshën 62-vjeçare, të mërkurën, pas një “sëmundjeje serioze dhe të gjatë në kohë”, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.
Korobov e mori detyrën në vitin 2016. Por, vetëm gjatë këtij viti, GRU-ja e drejtuar prej tij ka qenë në qendër të vëmendjes, pasi është lidhur me sulmin me agjent nervor në Britani ndaj ish-spiunit të dyfishtë rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij Yulia.
Gjenerali Korobov, nga sa raportohet, është përballur me kritika të ashpra nga zyrtarët rusë për faktin se dështoi në atë operacion. Sulmi ndaj Skripalit, 66 vjeç, dhe vajzës 33-vjeçare të tij, më 4 mars në Salisbury, i detyroi ata të qëndronin për javë të tëra në trajtim intensiv spitalor.
Helmimi pretendohet të jetë kryer nga të dyshuarit Alexander Mishkin dhe Anatoly Chepiga, me të dy këta që janë identifikuar nga autoritetet britanike si pjesëtarë të GRU-së, dhe madje thuhet se “është e qartë” që ka ndodhur me aprovimin e shtetit rus. Moska zyrtare, gjithsesi mohon akuzat.