Mesatarisht, 137 gra vriten çdo ditë në botë nga partneri apo një i afërm i familjes, sipas të dhënave të zyrës së Kombeve të Bashkuara për krimin dhe drogën.
Kjo e bën shtëpinë, nga sa pohon OKB, vendin me gjasat më të mëdha ku një grua të vritet. Më tepër se gjysma e 87 000 femrave të vrara në vitin 2017 vdiqën prej duarve të njerëzve të afërt: nga kjo shifër, afërsisht 30 000 humbën jetën prej partnerit dhe gati 20 000 nga një familjar.
BBC shkëput 5 raste të verifikuara nga autoritetet lokale, mes tyre ai i 22-vjeçares Judith Chesang nga Kenia, e vrarë nga i shoqi, prej të cilit sapo ishte ndarë dhe 36-vjeçares franceze, Marie-Amélie Vaillat, të qëlluar për vdekje me thikë po nga bashkëshorti, të cilit i kërkonte divorcin.
Raporti thekson se më të rrezikuarat nga vrasja prej partnerit apo familjarëve janë gratë në Afrikë, ndërsa Azia ka numrin më të madh të femrave që kanë gjetur vdekjen në këtë mënyrë në vitin 2017, duke regjistruar 20 000 të tilla.
Sipas OKB-së, një pjesë e madhe e dhunës ndaj grave nuk raportohet tek autoritetet dhe mbetet e fshehur.