Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) ka bërë të ditur se rreth 5 mijë persona çdo ditë largohen nga Venezuela
Joung-ah Ghedini-Williams, një zëdhënës i UNHCR-së, tha në një konferencë për media në selinë e OKB-së se venezuelasit po largohen nga vendi për shkak të “paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë” mes një krize mbi presidencën.
“Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe Peruja ende janë vendet që pranojnë numrin më të madh të venezuelaseve”, tha Ghedini-Williams.
Të dhënat e UNHCR-së tregojnë se 3 milionë venezuelianë u larguan nga vendi që nga viti 2015. Javën e kaluar, Juan Guaido, udhëheqësi i Asamblesë Kombëtare të udhëhequr nga opozita, u vetëshpall president, një veprim që u mbështet menjëherë nga presidenti amerikan, Donald Trump, si dhe nga Kanadaja dhe shumica e vendeve të Amerikës Latine.
Nga ana tjetër, presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Washingtonin dhe akuzoi SHBA-të për orkestrim të një grusht shteti kundër qeverisë së tij.
Venezuela është përfshirë nga protestat që nga 10 janari, kur Maduro u betua për mandatin e tij të dytë pas një votimi të bojkotuar nga opozita.