Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur padi ndaj ish-zyrtares të inteligjencës së Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, Monica Witt për ndihmën e dhënë ndaj Iranit, në atë që Uashingtoni e ka cilësuar si operacion me qëllime të spiunimit, dhe që pretendohet të ketë shënjestruar zyrtarët e inteligjencës amerikane.
Në padi thuhet se Witt ka ndihmuar Gardën Revolucionare të Iranit për të zhvilluar shënjestra kibernetike në ushtrinë amerikane pasi ka kaluar në anën iraniane më 2013.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Witt, që ka punuar për vite të tëra për inteligjencën e Forcave Ajrore amerikane kanë pasur një kthim “ideologjik” kundër shtetit të saj.
Në kuadër të këtij veprimi, Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar edhe katër zyrtarë me kombësi iraniane, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në sulme kibernetike.
Përveç kësaj, autoritetet amerikane kanë sanksionuar edhe dy kompani me bazë në Iran, Organizatën, New Horizon Organization dhe kompaninë, Net Peygard Samavat.