Federata Ruse njoftoi se do ta njohë emrin e ri të Republikës së Maqedonisë së Veriut, konfirmoi ambasadori rus në Shkup Sergej Bazdnikin, i cili i dorëzoi të martën Kryeministrit maqedonas Zoran Zaev një notë të Ministrisë së Jashtme të Rusisë me këtë vendim.c
Më parë Moska nuk kishte dhënë shenja për njohjen e Marrëveshjes së Prespës midis qeverive të Greqisë dhe të Maqedonisë së Veriut për emrin. Zyrtarë rusë kishin lënë të kuptohet se do ta bllokonin vendimin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara madje nga Moska, vinin kërcënime se Maqedonia e Veriut, duke u bërë pjesë e NATO-s, mund të ishte objekt i sulmeve të raketave ruse.
Qëndrimi i ri rus i shton shpresat se Moska do të përmirësojë marrëdhëniet miqësore dhe ekonomike me vendin e vogël ballkanik.
Një komision i përbashkët ndër-qeveritar për bashkëpunim tregtar dhe ekonomik do të mblidhet në një të ardhme të afërt. Maqedonia e Veriut eksporton në Rusi kryesisht fruta dhe perime.
Analistët në Shkup mendojnë se Moskës i duhej edhe një vend mik në Ballkan dhe se ajo pretendon të shtrijë një politikë paqësore këtu.