Kryeministrja britanike, Theresa May premtoi përpara deputetëve konservatorë se do të japë dorëheqjen nëse ata do i japin mbështetjen marrëveshjes për daljen nga Bashkimi Europian. Ajo u tha deputetëve: “Jam e përgatitur që të lë postin më herët, në mënyrë që të bëj atë që është gjëja e duhur për vendin dhe partinë tonë”.
May u tha deputetëve se e di se ata nuk duan që ajo të udhëheqë fazën tjetër të negociatave për daljen e Britanisë nga BE, ndaj vendosi që të mos bëhet pengesë.
“U kërkoj të gjithëve në këtë sallë që të mbështesin marrëveshjen, në mënyrë që të mund të përmbushim detyrën tonë historike – për të vënë në jetë vendimin e popullit britanik dhe për t’u larguar nga Bashkimi Evropian me një dalje të butë dhe të rregullt”.
Ajo nuk përcaktoi një datë për largimin. Por BBC shkruan se në maj mund të nisë një garë për drejtimin e konservatorëve.
Gazetari i BBC tha se Boris Johnson, kandidat për t’i zënë vendin, po buzëqeshte i lumtur teksa doli nga takimi.
Tani qeveria pritet ta kthejë marrëveshjen në parlament për një votim të tretë të premten.