Sekretari amerikan i Shtetit, Mikeo Pompeo, shfaqi shpresën për një samit të ri midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe udhëheqësit verikorean, Kim Jong Un, i cili do të mbahej në muajt e ardhshëm.
Samiti, sipas tij, do të synonte të shënonte "hapin e parë domethënës" drejt çarmatosjes bërthamore të Gadishullit Korean.
"Shpresoj që në muajt e ardhshëm, udhëheqësit do të mund të takohen", tha Pompeo.
Ai shtoi se duhet pasur kujdes dhe të mos parashikohet data e samitit të tretë eventual.
Kim dhe Trump, për herë të parë, janë takuar vitin e kaluar në Singapor, ndërsa herën e dytë në fund të shkurtit në Hanoi.
Takimi i fundit ka përfunduar pa marrëveshje, pasi Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesat e verikoreanëve për të hequr sanksionet ndaj shtetit të tyre, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.
Koreja e Veriut, në vitet e fundit, ka testuar disa raketa balistike dhe ka kërcënuar se ka kapacitet për të goditur SHBA-në dhe aleatët e saj në rajon me armë bërthamore.
Në takimin e parë në Singapor, Trump dhe Kim kanë thënë se synojnë çarmatosjen e plotë të Gadishullit Korean, por nuk kanë dhënë detaje se si dhe kur do të ndodhë procesi./Rel