Të enjten ligjvënësit në Uashington përshëndetën arrestimin në Britani të themeluesit të WikiLeaks Julian Assange dhe kërkuan ekstradimin e tij të menjëhershëm për t'u përballur me akuzat në Shtetet e Bashkuara.
“Është momenti i duhur," tha senatori republikan John Cornyn për Zërin e Amerikës. "Jam i kënaqur që më në fund ai do të vihet përpara drejtësisë."
"Falënderoj Zotin" tha senatori demokrat Joe Manchin. "Kjo gjë ishte tejet e nevojshme. U jam shumë mirënjohës miqve tanë britanikë", shtoi ai.
Jualian Assange u arrestua pasi Ekuadori i dha fund azilit të tij të gjatë në ambasadën e këtij vendi në Londër. Në Shtetet e Bashkuara zoti Assange akuzohet se qenë pjesë e një komploti për hakerim të kompjuterave që çoi në vjedhjen e më pas publikimin e dokumenteve të klasifikuara nga ana e WikiLeaks-it.
WikiLeaks botoi gjithashtu një numër të madh të email-esh që ishin hakeruar nga kompjuterat e zyrtarëve të fushatës zgjedhore presidenciale të kandidates demokrate Hillary Clinton në vitin 2016, një fakt që u theksua nga senatori demokrat Richard Blumenthal.
"Ai duhet të ekstradohet e të përballet me drejtësinë këtu (SHBA)", tha zoti Blumenthal. "Julian Assange duhet të përgjigjet për rolin e tij në ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet tona dhe sa më shpejt që kjo të ndodhë, aq më mirë do të jetë", shtoi ai.
Deri më tani, Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka kufizuar objektin e akuzave ndaj zotit Assange vetëm për konfiskimin informacionit të klasifkuar, në mënyrë të paligjshme. Drejtuesi ekzekutiv i WikiLeaks-it, i lindur në Australi, e ka portretizuar veten si një informator, gjë që ligjvënësit amerikanë të të dy partive, e kanë hedhur poshtë.
"Vjedhja është një krim. Dhe komploti për të vjedhur është gjithashtu krim", tha zoti Cornyn.
"Mendoj se duke rrjedhur informacionin ai kishte për qëllim të bënte dëm, për llogari të atij për të cilin punonte, apo atij për të cilin supozojmë se punonte", tha zoti Manchin. Senatori demokrat shtoi gjithashtu se ndryshe nga zoti Assange, informatorët e vërtetë përpiqen "të mbrojnë njerëzit për të cilët punojnë si dhe institucionin".
"Julian Assange ka pretenduar se është një njeri me ka ideale dhe moral të lartë" tha në një deklaratë demokrati kryesor i komisionit të Zbulimit Mark Warner.
Por sipas tij: "për fat të keq, pavarësisht nga synimet mbi të cilat u themelua WikiLeaks, Julian Assange është shndërruar në pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në përpjekjet ruse për të minuar Perëndimin dhe një bashkëpunëtor të përkushtuar në përpjekjet për të minuar sigurinë amerikane".
Zoti Warner tha gjithashtu se "shpreson që gjykatat britanike t’ua dorëzojnë atë sa më shpejt autoriteteve amerikane, në mënyrë që ndaj tij të jepet vendimi që meriton".
Senatori republikan Ben Sasse pajtohet me këtë mendim.
"Julian Assange ka qenë prej kohësh “një vegël e keqe” e Vladimir Putinit dhe e shërbimeve sekrete ruse. Ai meriton që të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij, në burg", shkruante ai në një postim në Twitter./VOA