Një burrë u burgos në Meksikë, gjatë fundjavës pasi kaloi disa orë i groposur në një tunel, të cilin e kishte ndërtuar poshtë shtëpisë së ish të dashurës për ta spiunuar. Cesar Arnoldo Gomez, 50 vjeç, nga Sonora, u gjet brenda tunelit të martën dhe u desh ndërhyrja e kryqit të kuq dhe departamentit të zjarrit pas refuzimit të tij për të dalë jashtë.
Ai u dërgua në spital dhe u vendos nën arrest për thyerjen e vendimit të gjyqit. Gomez kishte kaluar disa ditë duke gërmuar tunelin për të spiunuar ish-partneren e tij Griselda Santillian, 58-vjeç, në rezidencën e saj në Puerto Panasco në Gjirin e Kalifornisë.
Sipas gazetës meksikane El Universal, ish e dashura e tij u tha policëve që kishte dëgjuar shumë zhurma gjatë javëve të fundit, por dyshonte se ishin macet.