Turqia do të ndeshet me pasoja nëse dislokon sistemin rus të mbrojtjes raketore, S-400. Këtë herë paralajmërimi vjen nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. Gjithashtu aleanca shqetësohet edhe për pretendimet e Turqisë në Mesdheun Lindor.
Pavarësisht se është përpjekur të qëndrojë larg mosmarrëveshjeve midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, paralajmëroi për pasoja ndaj Ankarasë, nëse dislokon sistemin rus të mbrojtjes raketore, S-400.
Duke folur në Ankara pas një takimi me ministrin e Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, Stoltenberg-u tha se NATO-ja nuk do të dëshironte që aleatët t’i vendosin sanksione njëri tjetrit.
Uashingtoni thotë se sistemi raketor S-400 nuk është në përputhje me pajisjet e NATO-s dhe mund të komprometojnë avionët luftarakë të modelit F-35 të prodhuar nga Lockheed Martin.
Stoltenberg-u paralajmëroi për sanksione të mundshme nga Uashingtoni, nëse Ankaraja përparon marrëveshjen me Rusinë.
Turqia, një blerës dhe një partner në prodhimin e avionëve F-35, pretendon se sistemi kundërajror S-400 dhe avionët amerikanë nuk do ta ndikojnë njëri-tjetrin, si dhe është zotuar të mos e braktisë marrëveshjen me Rusinë.
Zyrtarët turq kanë propozuar gjithashtu formimin e një grupi të përbashkët pune me Uashingtonin për të vlerësuar ndikimin e sistemit S-400, por ende nuk kanë marrë një përgjigje.
Një tjetër çështje për të cilën NATO-ja qëndron midis Turqisë nga njëra anë dhe ShBA-së e BE-së nga ana tjetër, është ajo e shpimeve për kërkimin e gazit në zonën ekskluzive ekonomike të Qipros.
Gjatë takimit me sekretarin Stoltenberg, presidenti Tayyip Erdogan, i bëri thirrje aleancës që të mbështesë të drejtat e Turqisë në Mesdheun Lindor.
Turqia dhe qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Qipros kanë mosmarrëveshje për juridiksioni e zbulimit të gazit në det./oranews