Pra ata ulen të flasin me njëri-tjetrin. Mos do të thotë kjo, se punët nuk janë aq keq? Në funksionin e kryediplomatit të SHBA, Mike Pompeo viziton për herë të parë Rusinë. Dhe takon menjëherë presidentin Putin në rezidencën e tij në Sotçi. Një vend kurativ i njohur për klimën e butë. Por klima politike mes dy superfuqive për një kohë të pacaktuar ka për të mbetur e ashpër. Pompeo vjen në Rusi edhe për të parë mundësitë e takimit mes Trumpit dhe Putinit në fund të qershorit në samitin e G20-s në Osaka.
Pompeo duarbosh
Përndryshe Mike Pompeo vjen duarbosh në Rusi. Dhe po kështu ka për t’u kthyer. Sepse qëndrimet politike të të dyja vendeve janë shumë larg njëra-tjetrës. Qoftë për Venezuelën, Iranin apo Sirinë: Uashingtoni synon një ndërrim të regjimeve në këto vende. Rusia është kundër. E ka sukses deri më tani. Presidenti Putin po tregon para syve të gjithë botës, se ku janë kufijtë e superfuqisë SHBA. Kjo e dëmton autoritetin e SHBA, mjaft zemëruse kjo sidomos europianët, të cilët Pompeo i vizitoi para udhëtimit në Rusi. Por madje edhe në Bruksel ministri i Jashtëm amerikan ishte si një mik gati i paftuar. Në fund të fundit, presidenti amerikan, Donald Trump hoqi dorë nga marrëveshja atomike, tek e cila europianët, rusët dhe kinezët duan të qëndrojnë.
Ndërkohë nuk po përjashtohet më as ndërhyrja ushtarake në Iran. Ministrat e Jashtëm të BE janë të tronditur. Pra një rast për presidentin Putin që të rehatohet në kolltukun e tij: Ai as nuk e ka të nevojshme më ta fusë një pykë ndarëse brenda aleancës perëndimore, homologu i tij në Shtëpinë e Bardhë e bën këtë edhe pa Putinin. Por e qartë është, se Moska do të bëjë gjithçka që të mos shuhet sherri brenda perëndimit, mundësisht të bëhet më i madh. Divide et impera – përça e sundo: Kjo ka qenë edhe motoja e romakëve të vjetër në politikën e jashtme.
Marrëdhëniet amerikano-ruse do të qëndrojnë në vend numëro edhe në të ardhmen. Përgjegjësinë për këtë e mban Kremlini. Me luftën e tij në Ukrainën Lidnore, aneksimin e Krimesë, luftën e padeklaruar hibride kundër perëndimit Moska ka shkatërruar çdo mirëbesim. Edhe nëse në kuadër të samitit të G20-s Putin dhe Trump zhvillojnë bisedime. Kjo nuk do të thotë shumë. Vlera e takimeve të presidentit Trump ka rënë që me samitet që ai zhvilloi me diktatorin koreanoverior, Kim. Kësaj i shtohet që kongresit amerikan nuk i pëlqen kursi i Trumpit kundrejt Putinit.
Rusia vuan prej sanksioneve
Kongresi amerikan ka për të luajtur rolin e tij po ashtu që për një kohë të pacaktuar të mos shkrihet akulli në marrëdhëniet amerikano-ruse, e që të mbeten në fuqi sanksionet kundër Moskës. Edhe nëse propaganda e Kremlinit përdor tone të tjera: Rusia vuan prej sanksioneve. Investitorët e huaj janë tërhequr. Modernizimi i vendit ecën shumë ngadalë. Rritja ekonomike mezi e kalon 1% dhe standarti jetësor i rusëve bie. Fundi i stanjacionit nuk dihet.
Si tek SHBA ashtu edhe Rusia nuk ka vullnet për një fillim të ri. Në takimet si ai në Sotçi politikanë si Putini dhe Pompeo reduktohen në protokollarë të armiqësive. Në një kohë që është kaq e rëndësishme, që të dyja qeveritë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Çfarë qasjeje tjetër do të kishte për problemet globale të ndryshimit të klimës, rritjes së fluksit të migracionit, luftimin e terrorizmit, ndalimin e transferimit të armëve atomike apo mundësive për prodhimin e tyre? Probleme, që prekin këto dy vende dhe pjesën tjetër të njerëzimit. E kështu në fund të gjithë janë humbës.
Burimi: DW