Gërmime të reja për varrezë masive në Serbi

Saturday, 27 July 2019 13:45

Përfaqësuesit e organizatave dhe këshillave koordinues të familjarëve të personave të pagjetur, kërkojnë nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë që të punohet më shumë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga konflikti i viteve 1998-‘99.

Anëtarët e Grupit dialogues të Kosovës për personat të zhdukur me Serbinë, kanë thënë se ekipe të caktuara nga Kosova janë duke punuar dhe duke bërë kërkim në disa lokacione në Rashkë të Serbisë, te vendi i quajtur Kizhevak, për varreza masive.

Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Instituti të Mjekësisë Ligjore dhe anëtar i Grupit dialogues të Kosovës për persona të zhdukur me Serbinë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se nga fillimi i javës një ekip nga Kosova është duke bërë kërkime në vendin e quajtur Kizhevak në Serbi. Ai tha se në këtë vend ka katër vjet që herë pas here bëhen gërmime.

“Thuajse qe katër vjet jemi duke punuar në minierën e Kizhevakut, por e dimë se aty për 20 vjet janë hedhur mbeturinat e minierës dhe gurë dhe ka ndërruar reliefi. Në vazhdimësi kemi problemin e dëshmitarit për shkak edhe të ndërrimin të reliefit, por në ato vende ku po i tregon (dëshmitari) jemi duke gërmuar. Në Kizhevak do të qëndrojmë të paktën tri javë duke bërë dhe ndërrimin e ekipeve dhe varësisht nga nevoja, do të qëndrojmë edhe më tutje”, ka thënë Gërxhaliu.

Bashkëpunimi me autoritetet në Serbi për çështjen e të pagjeturve, është shprehur Gërxhaliu, vazhdon sipas ritmit të njëjtë.
“Ne që nga viti 2003 bashkëpunojmë me grupet punuese me Serbinë dhe ky bashkëpunim nuk është ndalur kurrë, pavarësisht ndërrimeve politike në të dyja vendet, sepse e gjithë puna bazohet në çështjen humanitare”.

“Kurse, sa u takon çështjeve të tjera [dialogut politik Kosovë – Serbi] janë organe tjera, të cila vendosin edhe pse çështja e të zhdukurve nuk duhet të lihet anash, por normal që duhet t’i jepet një prioritet i veçantë për arsye se faktikisht 20 vjet kaluan dhe e dimë fare mirë se familjarët e të zhdukurve kanë filluar ta lënë këtë botë dhe thjesht kërkohet një azhurim më i madh i punës”, ka theksuar Gërxhaliu.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Serbia ende nuk ka pasur asnjë rast të identifikimit dhe riatdhesimit të mbetjeve mortore të personave të pagjetur të Kosovës.

 

Zyrtarët e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur kanë thënë se puna dhe komunikimit ndërmjet delegacioneve shtetërore për çështjen e personave të pagjetur të të dyja vendeve, është duke vazhduar.

Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se në Serbi dyshohet se ka varreza masive, për të cilat duhet të bëhen kërkime.

Grajçevci ka thënë se pa një presion ndërkombëtar, Serbia nuk do të tregojë asnjëherë për fatin e personave të zhdukur.
“Pa një trysni të madhe të faktorit ndërkombëtar, do të thotë të Këshillit të Evropës, dhe të Këshillit të Sigurimit, Serbia nuk do t’i tregojë rastet sepse 1200 persona nga Kosova i ka dërguar të gjallë deri në Prokuple dhe atje janë evidentuar se kush janë dhe i kanë shpërndarë. Do të thotë të gjithë kanë shkuar të gjallë deri në Serbi”.

“Thashë janë edhe 1200, për fatin e të cilëve ende nuk dihet dhe këtë e dinë vetëm strukturat ushtarake dhe policore. E dinë në çfarë drejtimi i kanë dërguar dhe ku janë ata njerëz”, tha Grajçevci.

Edhe Grajçevci tha se kjo çështje që nga përfundimi i luftës është kërkuar që të diskutohet në instancat më të larta ndërkombëtare.

Ndryshe, për varreza ku supozohet se ka të varrosur persona të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe, gërmimet kanë vazhduar edhe në Kosovë. Javën e kaluar në periferi të Komunës së Podujevës është hapur një varreze ku janë gjetur mbetjet mortore të një personi.

Autoritetet thanë se në vendin e njëjtë kanë përfunduar gërmimet pasi nuk ka indikacione për mbetje mortore të personave të tjerë.

Më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 në Kosovë. Këto shifra i kishte publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike. Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...