Kryeministri britanik, Boris Johnson dënoi atë që ai e konsideroi një bashkëpunim të tmerrshëm mes deputetëve të vendit të tij dhe Bashkimit Europian, që pengon sipas tij rinegocimin e marrëveshjes për Brexit. “Ekziston një bashkëpunim i tmerrshëm mes njerëzve që mendojnë se mund të bllokojnë Brexit në parlament dhe miqve tanë europianë”, deklaroi ai gjatë në seancë të drejtpërdrejtë pyetje-përgjigje në rrjetin social Facebook.
“Miqtë tanë europianë nuk ndryshojnë mendim. Ata nuk bëjnë asnjë kompromis për marrëveshjen e tërheqjes edhe pse ajo është hedhur poshtë tre herë nga Parlamenti britanik”, nënvizoi ai gjatë një bisede prej 15 minutash dhe që u ndoq nga 7 500 përdorues të internetit. “Ata i referohen secilës letër, çdo presjeje të marrëveshjes sepse ata mendojnë se Brexit mund të bllokohet në Parlament”, shtoi ai.
“Sa më shumë të zgjatet kjo, aq më shumë është e mundur që të largohemi me një Brexit pa marrëveshje”, nënvizoi ai.
Kryeministri, Boris Johnson, i cili pasoi Theresa May më 24 korrik, theksoi se Britania e Madhe do të largohet nga BE më 31 tetor, ditë e parashikuar për Brexit edhe pa marrëveshje.